LajmeMaqedoni

Analistët: Nëse nuk mbështet ndryshimet kushtetuese, Hristijan Mickskoski mund të bëhet Sali Berisha i Maqedonisë së Veriut!

Politikologu Bllagojçe Atansoski thotë se opozita është ajo që mban në dorë “çelësin” për hapjen e procedurës parlamentare, e cila nëse vazhdon në qëndrimin për të mos i mbështetur amendamentet kushtetuese, rrezikon të përfundojë si një parti politike tërësisht e izoluar.

Nuk duhet të humbet as edhe një sekondë e vetme për sa i përket miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe futjen e komunitetit bullgar në Preambulë, me ketë edhe të vazhdojë rrugëtimi pa pengesa i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian (BE), thonë për Indeks.mk, njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke komentuar aktualitetin politik dhe procesin e filluar për ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës nga ana shumicës qeverisëse.

“Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Eskobar e tha qartë dhe troç që nuk duhet të humbet kohë sa u përket ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo thirrje dihet se kujt i shkon më shumë, pra opozitës maqedonase. Ka procese të rëndësishme që duhet të tejkalojnë interesat partiake dhe tashmë në këtë moment politik është VMRO ajo që duhet ta kuptojë më saktë dhe qartë këtë mesazh që të mbështesë së bashku me subjektet tjera ndryshimet kushtetuese si hap i radhës dhe mbase final në rrugën euroatlantike të vendit. Çdo parti që nuk do ta dëgjojë këtë thirrje apo mesazh, vërtetë do pengojë këto procese për vendin por njëkohësisht do ta mbyllë vetveten ose më saktë do ta izolojë atë”, deklaroi për Indeks.mk, Urim Saliu – gazetar dhe opinionist.

Ai potencon se shteti në fund të fundit nuk është vetëm i partive qeveritare që e drejtojnë atë, por edhe i veprimeve që bën një opozitë.
“Nuk është koha e zgjedhjeve por e zgjidhjes së këtyre ngërçeve politike që po e mbajnë peng vendin që aspiron integrimin e shumëpritur për qytetarët. Kush izolon këto procese, izolon vetveten dhe rrezikon që të mos vijë për një kohë të gjatë në pushtet. VMRO duhet të marrë shembull opozitën në Shqipëri se deri ku u katandis në humbjen e thellë në zgjedhjet e fundit atje”, theksoi Saliu.

Në anën tjetër, politikologu Bllagojçe Atansoski thotë se opozita është ajo që mban në dorë “çelësin” për hapjen e procedurës parlamentare, e cila nëse vazhdon në qëndrimin se nuk do të mbështesë amendamentet kushtetuese, rrezikon të përfundojë si një parti politike tërësisht e izoluar.

“Në fund të fundit, është opozita ajo që mban në dorë “çelësin” për hapjen e procedurës parlamentare, e cila nëse vazhdon në tezën se nuk do të mbështesë amendamentet kushtetuese, rrezikon të përfundojë si një parti politike tërësisht e izoluar nga diplomacia e lartë politike europiane dhe amerikane tek ne dhe nëse i pranon do të dalë “tradhtare” në sytë e elektoratit të ashpër nacionalist. Së shpejti do të shohim përfundimin e kësaj sage. Lideri i opozitës u fut në “lëkurë” të ngushtë politike për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën tonë dhe do ta ketë shumë të vështirë të dalë nga situata pa pasoja”, deklaroi Atansoski për Indeks.mk.

SHBA: OPOZITA T’I VOTOJË NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Eskobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në anën e shtetit për ta luftuar korrupsionin dhe për ta vënë në zbatim sundimin e ligjit. Lidhur me ndryshimet kushtetuese, Eskobar thotë se shqetësim mbetet humbja e kohës. Ai pret mbështetjen e të gjitha partive politike përfshi edhe opozitën maqedonase që të përkrah rrugën euroatlantike të vendit.

“Shqetësimi ynë më i madh është se po humbim kohë. Nuk presim nga opozita ta përkrah kryeministrin. Atë që dua ta dëgjoj nga opozita është përkushtimi në rrugën euro-atlantike dhe kjo përfshin shqyrtimin e mundësisë se si Maqedonia e Veriut të gjendet para mbajtjes së konferencës së dytë ndër-qeveritare. Do të them se kredibiliteti i procesit të zgjerimit varet nga Maqedonia e Veriut. Kemi shtet që ka bërë gjithçka që ishte e nevojshme në mënyrë që të kalojë në hapin e radhës dhe mendoj se e meriton hapin e radhës”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE NË “PJATË” TË NXEHTË

Edhe pse ndryshimet kushtetuese u inicuan, para së gjithash, për shkak të kërkesës që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, u paralajmërua se ai proces do të përdoret për përfshirjen edhe të komuniteteve të tjera. Në regjistrimin e fundit të vitit 2021, 3504 qytetarë janë deklaruar si bullgarë, si egjiptianë 2406, kroatë 2145, malazezë 1023 dhe torbeshë 4174, megjithëse përfaqësuesit e tyre thonë se numri i tyre është shumë më i madh.

Torbeshët, të cilët janë maqedonas me fe islame, besojnë se “sipas karakteristikave të tyre etnike, fetare, gjuhësore dhe kulturore, ata meritojnë status të veçantë dhe status të barabartë me grupet e tjera etnike në vend”.

Kryetari i Unionit të Maqedonasve me besim islam, Ismail Bojda, mendon se një kërkesë e tillë vetëm do të çojë në çarje të strukturës kombëtare maqedonase. Sipas tij, kjo është përpjekja e tretë për të inicuar këtë çështje – para regjistrimit, para zgjedhjeve dhe tani, para ndryshimeve kushtetuese.

Sipas Bojdës, nuk mund të thuhet se sa është numri i maqedonasve me fe islame në Maqedoninë e Veriut, sepse ata nuk janë deklaruar si “myslimanë maqedonas”, por si maqedonas dhe vetëm si “myslimanë” sipas përkatësisë fetare. Megjithatë, ai beson se numri i maqedonasve me fenë islame është rreth 100 mijë.

Kjo nuk është e vetmja çështje që mund të shkaktojë “shkëndija” në atmosferën tashmë të polarizuar që rrethon ndryshimet kushtetuese. Një pjesë e partive të shqiptarëve mendojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të përdoren për të ndryshuar formulimin “gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve” me fjalën “gjuha shqipe”. Duhet të trajtohet edhe çështja e një vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme, e cila gjatë pandemisë Kovid – 19, tregoi nevojën për sqarim, shkruan Indeks.mk

FOKUSI I NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE, HAPJA E KLASTERAVE TË NEGOCIATAVE ME BE-NË

Ministri i Drejtësisë Krenar Loga fillimisht paralajmëroi mundësinë për të diskutuar për sqarimin e mëtejshëm të çështjeve të tjera në Kushtetutë, por më pas theksoi se fokusi i ndryshimeve kushtetuese do të jetë vetëm hyrja e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera.

Grupi punues mori sugjerime edhe se nuk ka mandat për amendamentet e tjera dhe qeveria garanton se të gjitha çështjet do të diskutohen, por procesi aktual i ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të rëndohet me to, sepse prioritet është ajo që përfaqëson, detyrim dhe kusht për hapjen e klasterave në procesin e negociatave me BE-në.
Megjithatë, spekulohet se kërkesa për ndryshimin e formulimit “20 për qind” mund të përdoret si një presion i fortë ndaj koalicionit qeverisës nga partitë opozitare shqiptare, përfshirë grupin e pakënaqur në BDI.

Show More

Related Articles

Back to top button