LajmeRajon

Anulohet seanca në rastin “Veteranët”

Me kërkesë të prokurorit special Valdet Gashi, i cili ka kërkuar më shumë kohë për përgatitje të rastit, pasi lënda është kthyer në plotësim në dhjetor sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, është anuluar seanca e paraparë për të mërkurën në rastin e njohur si “Veteranët”. Anulimin e kësaj seance, për “Betimi për Drejtësi”, e bëri të ditur gjykatësi i rastit Gazmend Bahtiri.

Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Bahtiri ka thënë se më 16 dhjetor 2022, e kanë kthyer lëndën në plotësim sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, e për këtë arsye prokurori special Gashi ka kërkuar kohë shtesë që të përgatitet për rastin.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 15 qershor 2023.

KOHA ditë më parë raportoi se tash e një vit rasti i njohur si “Veteranët e rremë” është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë e se për çdo muaj të zvarritjes shteti shpenzon 3 milionë euro për 19 mijë veteranët që pretendohet se e kanë fituar këtë status në mënyrë të jashtëligjshme.

Show More

Related Articles

Back to top button