LajmeMaqedoni

Arsovski: Lëvizja BESA nuk ka aleat tjetër përveç VMRO-së dhe Levicës, shqiptarët do ta ndëshkojnë

Veprimi i fundit politik i Lëvizjes BESA për t’i kushtëzuar ndryshimet kushtetuese me zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm se e izolon këtë subjekt politik në politikën e brendshme dhe të jashtme. Sipas analistit politik Petar Arsovski me ketë veprim defakto e Bilall Kasami mbetet pa aleatë në skenën politike në vend, andaj edhe “porta” e vetme për aleancë i mbetet VMRO-DPMNE dhe Levica.

“Ky veprim me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese do t’i kushtojë në rejting Lëvizjes BESA. Është shumë e vështirë për cilëndo parti politike shqiptare që të rreshtohet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht kur dihet se faktori ndërkombëtar angazhohet që këto ndryshime kushtetuese të realizohen. Nuk di se sa mund të qëndrojë në këtë qëndrim BESA, pasi që elektorati shqiptar do të reagojë ashpër ndaj cilësdo parti e cila do të bllokonte rrugëtimin euro-integrues të vendit”, deklaroi Arsovski për Indeks.mk

Sipas tij, këto deklarata nga Lëvizja BESA vijnë si pasojë e bisedimeve të Aleancës për Shqiptarët me qeverinë.

“Hyrja e mundshme e ASH-së në Qeveri, veçanërisht pas Kongresit partiak të kësaj partie, defakto e lë Lëvizjen BESA vetëm. Ajo për momentin nuk ka aleatë tjetër përveç se VMRO-DPMNE-së dhe Lëvicës”, nënvizoi Arsovski.

Ai thotë se ekziston një lloj frike te Lëvizjen BESA se mund të mbeten partia e fundit e cila eventualisht mund ti bashkëngjitet shumicës parlamentare.

“Me këtë veprim BESA dëshiron ta rrisë çmimin politik. Nuk besojë se cilado parti politike shqiptare që dëshiron të etablohet në elektoratin shqiptar si serioze, mund të rreshtohet kundër integrimeve evropiane të vendit. Kjo është e pamundur”, potencoi ai. (Indeks.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button