LajmeMaqedoni

As këtë semestër nuk do jetë gati konvikti në Tetovë, MASh: prisni semestrin tjetër (Video)

Vazhdimisht janë shkelur afatet kohore për përfundimin dhe lëshimin në funksion të konviktit studentor në Tetovë i cili ka shtatë vite që premtohet. I njëjti  nuk do të jetë gati as për këtë semestër i cili në Universitetin e Tetovës fillon muajin e ardhshëm. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) për Portalb.mk tha se konvikti do lëshohet në përdorim semestrin tjetër, në vjeshtë. Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) thotë se ministri i Arsimit neglizhon nevojat e studentëve të Pollogut.

Edhe pse nevoja e studentëve në Tetovë për konviktin studentor është e madhe, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për shumë ministra dhe zëvendës që janë ulur në kolltukun e kësaj ministrie që të përshpejtojnë punët për këtë konvikt, madje premtimet për përfundimin e të njëjtit vazhdimisht janë shtyrë.

Nga Universiteti i Tetovës (UT) për Portalb.mk theksuan se kompetencat për zhvillimin e punimeve të konviktit studentor i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Ditë më parë ka filluar mobilimi i objektit të konviktit. Sipas kontratës për bashkëpunim në mes Universitetit të Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, obligimi ynë është kyçja e ujësjellësit dhe ju njoftojmë që ne jemi në përfundim të tij. Ndërsa ka ngelur ende pa u rregulluar oborri, por kjo çështje është nën kompetencat e Ministrisë”, thanë nga UT.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) konvikti nuk do të jetë gati as këtë semestër, por tjetrin.

“Në konviktin studentor në UT ende po punohet, janë porositur të gjitha pajisjet e nevojshme këtë semestër. Në përdorim do të lëshohet në semestrin e vjeshtës”, thanë nga MASh për Portalb.

Këto vonesa për përfundimin dhe hapjen e konviktit studentor në Tetovë sipas Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) janë vetëm një prej treguesve që ministria e Arsimit dhe Shkencës, konkretisht ministri Jeton Shaqiri, vazhdon të neglizhojë nevojat themelore të studentëve të rajonit të Pollogut.

“Shpesh herë, sidomos gjatë kampanjave parazgjedhore shfrytëzohet Universiteti i Tetovës për të marrë pikë politike por nga ana tjetër, nuk janë në gjendje studentëve të atij universiteti të ju sigurojnë kushtet bazike për një jetë studentore ashtu siç i ka hije. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri studimet i ka kryer në universitet privat, andaj, ai nuk është i njoftuar dhe nuk mund t’i kuptojë brengat e studentëve të universiteteve publike por ai duhet ta kuptojë se shumica dërmuese e studentëve në këtë vend, të cilët janë taksapagues, nuk kanë mundësitë financiare t’i kryejnë studimet në universitete private siç ka bërë ai”, thanë nga FNA për Portalb.mk.

Show More

Related Articles

Back to top button