GostivarLajme

Asfaltohet rruga rajonale në fshatin Toplicë të Komunës së Vrapçishtit

Rehabilitimi i 1,5 kilometra rrugë në fshatin Toplicë të Komunës së Vrapçishtit, i nxori në terren për të parë zhvillimin e punimeve autoritetet lokale të kësaj komune dhe përfaqësues të pushtetit qendror. Drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi, tha se rehabilitimi i kësaj rruge vjen në kuadër të rregullimit të disa rrugëve tjera si pjesë të rrugës rajonale Gostivar – Tetovë.

“Kemi ndarë mjete të caktuar që bëjmë rehabilitimin e të gjitha rrugëve rajonale nëpërmjet ndërmarrjes tjetër publike që është “Rrugët e Maqedonisë”. Pikërisht sivjet në këtë pjesë rrugore që është rruga rajonale që e lidh Tetovën dhe Gostivarin, kemi ndarë një buxhet prej 34 milionë denarëve që është paraparë diku të kemi edhe zgjerime e kësaj rruge nga 4,2 në 6,2 metra dhe kemi diku 750 metra ku është bërë zgjerimi i kësaj rruge rajonale pasi ka pasur vështirësi në lëvizjen në komunikacion. Njëkohësisht kemi bërë edhe rehabilitimin e kësaj rruge në gjatësi prej 1,5 kilometra. Besojmë se me këtë rehabilitim që kemi bërë këtë vit do të kemi kushte më të mira për të gjithë banorët që e frekuentojnë këtë rrugë”, deklaroi drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.

Nga viti i ardhshëm rruga rajonale Gostivar-Tetovë që përshkon edhe territorin e Komunës së Vrapçishtit do të shndërrohet në rrugë lokale, pasi do fillojë ndërtimi i Korridorit 8, tha kreu i Vrapçishtit Isen Shabani.

“Këtë ditë kemi ndjekur së bashku me drejtorin se si zhvillohen punimet dhe njëkohësisht mund të shohim rrugët rajonale të cilat i takojnë territorit tonë, duke pas parasysh se në Korridorin 8 të cilin e përmendi edhe drejtori, kjo rrugë do mbetet rrugë lokale, por para se të bëhet rruga rajonale poshtë, ishte gatishmëri e drejtorit dhge vullnet i yni i përbashkët që të rregullojmë këtë rrugë dhe vitin e ardhshëm për ne si pushtet lokal do jetë më lehtë pasi ne do menaxhojmë me këtë rrugë”, deklaroi Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

E derisa Shabani dhe Ejupi inspektonin punimet, disa banorë të Toplicës u ankuan se ri-aslfatimi i rrugës nuk bëhet sipas standardeve.

“Unë mendoj se është bërë më e mira e mundshme, kuptohet se ne nuk ikim nga ajo që kërkojnë qytetarët, por mundësitë që kanë qenë në terren, d.m.th gjendja faktike ka dhënë këto mundësi dhe në ato mundësi ne kemi punuar dhe Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” sipas mundësi ka bërë më të mirën e mundshme”, deklaroi Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Ndryshe, nuk janë bërë as dhjetë vite nga rehabilitimi i rrugës rajonale Tetovë – Gostivar, ndërkohë që e njejta sërish në disa pjesë ri-aslaftohet për shkak të dëmtimeve të shumta.

Show More

Related Articles

Back to top button