LajmeMaqedoni

Ballkani i Hapur, as i gjallë e as i vdekur

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa përgjigje të prerë nëse nisma Ballkani i Hapur ka marrë fund. Rama në Shkup tha se kjo nismë ka dhënë rezultate të mira, por se tani e tutje fokusi duhet të jetë te Procesi i Berlinit.

“Ne duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi Ballkani i Hapur se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, që të jemi shumë të qartë, por nga vetot e jo nuk dua këtë, jo nuk vijë aty, jo nuk firmosi, jo shihemi nesër. Për këtë ngeci”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë për dallim nga Rama, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Ballkani i Hapur është akoma gjallë dhe nisma nismë do të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse. Kovaçevski madje paralajmëroi vazhdimin e takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur. Tha se javën tjetër do të takojë kryeministren serbe Bërnabiq.

“Ballkani i Hapur ka dhënë shumë rezultate të cilat janë të dukshme, të prekshme. Unë javën e ardhshme do të kem takim me kryeministren Bërnabiq, ku do e promovojmë të M-TAG-un për pikat pagesore për të gjithë qytetarët në Korridorin 10 dhe Ballkani i Hapur nuk e ka mbaruar misionin e saj duke pasur parasysh se ai angazhohet për vlerat e njëjta për të cilat angazhohet edhe Procesi i Berlinit si proces më i madh që i përfshin të gjithë pa përjashtim”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

“Ballkani i Hapur”, apo i njohur në fillim si Mini-Shengen, nisi në vitin 2019 në Serbi. Nisma u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në fillim të këtij muaji për mediat shqiptare Rama tha se Ballkani i Hapur lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe sipas tij, ky mision është kryer. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button