LajmeMaqedoni

Banorët e Orizares protestojnë për mungesë të energjisë elektrike

Banorët e fshatit Orizare të Komunës së Likovës protestuan para zyrave të EVN-së në Kumanovë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike tashmë mbi 24 orë. Sipas tyre, mosmarrëveshja mes EVN-së dhe banorëve të fshatit Sllupçan po i dëmton ata me pa të drejtë. Banorët e Orizares thonë se ata janë konsumator të rregullt dhe se duan rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

“Jemi informuar se ka një mosmarrëveshje me Sllupçanin dhe ata kanë protestuar për orëmatësit. Ajo është çështje e tyre personale. Neve 24 orë nuk kemi rrymë. Edhe neve si e gjithë bota jetojmë me rrymë. Neve kërkuam që të na lëshohet rryma sepse ne nuk jemi fajtor. Neve paguajmë rregullisht edhe nëse nuk duam të paguajmë, pas 1 muaji na e ndalin. I gjitha fshati paguan. Këtë mund ta dëshmoni kush doni madje edhe ju mediat”, deklaroi Farudin Destani, Përfaqësues i fshatit Orizare.

Drejtori i përfaqësisë së EVN-së në Kumanovë i ka ftuar banorët në takim, por sipas tyre më pas nuk i ka pritur. Kjo ka revoltuar të njëjtit që protestën ta vazhdojnë, ndërsa objekti u sigurua nga forcat policore.

“Përgjigja e drejtorit ishte kjo: Derisa ne nuk i vendosim orëmatësit në Sllupçan jashtë, ju nuk do të keni rrymë. Përgjigja e tij do të thotë se pa rregulluar punën atje, ne nuk do të kemi rrymë. Kjo është e palejuar dhe është kushtëzim. Të ketë institucione në vend, ai sot duhet të jep dorëheqjen dhe organet e drejtësisë të merren me të”, tha Farudin Destani, Përfaqësues i fshatit Orizare.

Nga EVN kanë njoftuar se derisa nuk krijohen kushte sigurie që ekipet të ndërhynë në Sllupçan, nuk do të mund të ndërhyhet në mënjanimin e defektit që kanë shkaktuar banorët e atij fshati në trafostacion. Për pasojë edhe Orizarja do të mbetet pa energjie elektrike. Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë i bën thirrje qytetarëve që të paguajnë detyrimet ndaj kompanive energjetike, ndërsa kërkuan nga institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike në Sllupçan. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button