Maqedoni

BDI-ja me kusht për largimin nga pushteti, kërkon hetimin e partive politike

BDI-ja ka një kusht të ri për VMRO-DPMNE-në, për të hequr dorë nga pushteti në rast të formimit të qeverisë së zgjeruar për ndryshimet kushtetuese sipas kërkesës së Mickoskit. Nga partia e Ahmetit thonë se pranojnë që ndryshimet kushtetuese të hynë në fuqi në ditën e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe po të njëjtën ditë ata të dalin nga pushteti por kanë një kusht si pikë të tretë të planit, të cilin e zbardhi sot zëdhënësi i partisë Bujar Osmani.

“Kemi vetëm një kusht nëse pranohet ky plan dhe kjo është pika e tretë që detyrimisht që nesër të fillojë hetim i partive politike duke filluar nga kryetarët deri te anëtarët e kryesive dhe të të gjithë bartësve të tjerë të funksioneve publike me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtar me qëllim të ketë objektivitet dhe paanshmëri gjatë procesit me qëllim që të përfundojë ky keqpërdorim partiak dhe akuzat e partive politike për kriminalitet”, Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Me ose pa Mickoskin, Osmani thotë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen por nuk zbardhi planin B, në rast se partia opozitare nuk pranon kushtet e pushtetit dhe të votojë ndryshimet kushtetuese.

E me këtë, BDI-ja është e gatshme të heqë dorë edhe nga premtimi për kryeministrin e parë shqiptar, gjë të cilën e quajnë sakrificë me qëllim integrimin.

“Shtylla e secilës fushate është të prezantoni njerëzit në qeveri. Ne e lëshojmë qeverinë me të gjitha pozicionet, me të gjitha ministritë, me të gjitha drejtoritë. Kryeministri është një pozicion. Ne tani për çështjen e BE-së, për të ardhmen evropiane, duke qenë të vetëdijshëm për shansin, duke qenë të vetëdijshëm për pasojat jemi të gatshëm t’i bëjmë këto kompromise dhe t’u bëjmë me dije se kjo tani nuk është çështje e pozitave por është çështje e të ardhmes së njerëzve”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Ndërkohë, burime nga qeveria njoftojnë se kryeministri Dimitar Kovaçevski është i gatshëm të ja ofrojë liderit të opozitës Hristijan Mickoski pozitën e kryeministrit, në interes të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese. Kovaçevski beson se duhet të mbetet në pozitën e kryeministrit dhe ta çojë deri në fund procesin e ndryshimeve kushtetuese, por në interes të integrimeve evropiane, do të pranonte t’i ofrojë Mickoskit edhe pozitën e kryeministrit në qeverinë e përkohshme të zgjeruar, përveç pesë posteve ministrore që i ka përmendur më herët. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button