BotaLajme

BE-ja konfirmon, Borrell e pranon letrën nga ligjvënësit amerikanë e evropianë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sapo e ka pranuar letrën nga ligjvënësit amerikanë dhe evropianë që u dërgua javën e kaluar përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Stano ka thënë se politika e jashtme drejtohet njëzëri nga shtetet anëtare të BE-së dhe se Bashkimi Evropian ka bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk do të komentojmë në publik korrespondencën e marrë nga Borrell nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë HRVP-së, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse, ne nuk do të bëjmë korrespondencë në media. Në këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se Borrell sapo e ka marrë atë”, ka thënë Stano.

Ai ndër të tjera ka thënë se BE-ja si ndërmjetësues në dialogun Kosovë – Serbi e vlerëson angazhimin e palëve në dialog “në bazë të meritave të tyre individuale dhe raporteve për shtetet anëtare”.

“BE-ja u ka dërguar kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit. Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes nëse Serbia i përmbush kërkesat e saj dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave”, ka thënë tutje Stano.

Ndryshe, në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik, James Cleverly.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë.

“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letrën e ligjvënësve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Washington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 9 gusht, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri, BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Megjithatë, Kosova është pajtuar me BE-në në një plan për shtensionimin e situatës, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

Show More

Related Articles

Back to top button