Biden dhe Zelensky nënshkruajnë marrëveshje të sigurisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kanë nënshkruar më 13 qershor një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Zelensky tha gjithashtu se vendit të tij “urgjentisht” i duhen sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur ukrainasit dhe infrastrukturën e vendit nga bombardimet e vazhdueshme të Rusisë.

Marrëveshja u nënshkrua në margjinat e samitit vjetor të G7-ës, të mbajtur këtë vit në Itali dhe Biden tha se qëllimi “është të forcojë aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të Ukrainës”.

Zelensky tha në një konferencë të përbashkët shtypi se nënshkrimi ishte një “ditë vërtet historike”, por ai gjithashtu pyeti për qëndrueshmërinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Secila palë mund ta ndërpresë marrëveshjen me shkrim me një paralajmërim prej gjashtë muajsh, që do të thotë se një president i ardhshëm i SHBA-së, mund të anulojë marrëveshjen.