BotaLajme

Britania në krizë, Johnson e lë Mbretërinë në një katastrofë ekonomike

Në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, bizneset dhe familjet po paralajmërojnë se nuk do t’ia dalin dot gjatë dimrit pa ndihmën e qeverisë. Kjo përbën një sfidë madhore për kryeministrin e ardhshëm, emri i të cilit pritet të shpallet të hënën.

Për muaj me radhë, Britania e Madhe ka përjetuar një vakum lidershipi teksa vendi ka rrëshkitur drejt recesionit dhe një krize humanitare të shkaktuar nga rritja e faturave të energjisë.

Që kur Boris Johnson njoftoi tërheqjen nga detyra në korrik, parashikimi për rritjen ekonomike ka ardhur në rënie. Inflacioni vjetor po shkon mbi 10 për qind, me çmimet e ushqimeve dhe ato të karburanteve që po arrijnë pikun.

Shqetësimi për shtrenjtimin e kostos së jetesës ka detyruar disa qindra mijëra punonjës të porteve, hekurudhave dhe postës të hidhen në grevë.

Paundi britanik sapo regjistroi kuotën më të keqe mujore që prej referendumit të Brexit në vitin 2016, duke prekur nivelin më të ulët kundrejt dollarit në më shumë se dy vjet.

Situata mund të përkeqësohet më tej përpara se të përmirësohet. Banka e Anglisë ka deklaruar se inflacioni do të arrijë në 13 për qind teksa kriza energjetike intensifikohet.

Parashikimet e kompanive të kreditimit janë edhe më të zymta. “Citigroup” vlerëson se inflacioni do të arrijë në 18 për qind në 2023-shin, ndërsa “Goldman Sachs” paralajmëron se ai mund të arrijë në 22% nëse çmimet e gazit natyror mbeten në nivelet aktuale.

Problemi më akut do të jetë menaxhimi i kostos stratosferike të energjisë, që mund të nxisë një valë mbylljesh të bizneseve dhe të detyrojë miliona njerëz të zgjedhin mes ushqimit dhe ngrohjes.

Ekspertët kanë paralajmëruar se qytetarët do të varfërohen dhe se vdekjet nga moti i ftohtë do të shtohen nëse nuk bëhet diçka dhe me shpejtësi./euronews.al/

Show More

Related Articles

Back to top button