LajmeMaqedoni

Bujar Osmani: OSBE-ja do të vazhdojë ta mbështesë dialogun efektiv dhe tejkalimin e dallimeve në Bosnjë

OSBE-ja në bashkëpunim me Bosnje dhe Hercegovinën ofron shumë praktika të mira, të cilat mund të shtohen për të kontribuar në përmirësimin e politikave dhe proceseve publike. Këtë e theksoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së ndodhet për vizitë dyditore në Bosnje dhe Hercegovinë, njoftojnë nga MPJ.

Në konferencën për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të BeH, Elmedin Konakoviq, Osmani tha se Maqedonia e Veriut dhe BeH kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm në nivel bilateral, por edhe në kuadër të OSBE-së, gjë e cila është e dukshme përmes mbështetjes së prioriteteve që vendi ka vendosur në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe mbi të gjitha në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit është një nga tiparet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe në të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Qëllimi ynë është të fitojmë mbështetje të gjerë politike nga vendet e rajonit për të forcuar përpjekjet e tyre për të zhvilluar dhe zbatuar politika më të forta dhe rezultate efektive”, tha Osmani në konferencën për media me Konakoviqin. Ai shtoi se OSBE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë autoritetet në zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese kundër korrupsionit dhe në këto përpjekje autorët do të dalin para drejtësisë.

“Jo vetëm në BeH, por edhe në të gjithë rajonin, OSBE-ja do të vazhdojë të zhvillojë rregulloret kryesore kundër korrupsionit nga të cilat do të përfitojnë institucionet, por më e rëndësishmja qytetarët si shfrytëzues të fundit të shërbimeve të tyre”, tha Osmani.

Show More

Related Articles

Back to top button