LajmeMaqedoni

“Bullgarizimi” përlesh VMRO-DPMNE-në me LSDM-në!

Vazhdojnë përplasjet mes dy partive kryesore në vend, opozitares VMRO-DPMN-së dhe LSDM-së në pushtet për propozimin francez dhe futjes së komunitetit bullgarë në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë sipas VMRO-DPMNE-së po bëhet bullgarizimi i vendit, ndërsa nga LSDM-ja I kanë cilësuar këto akuza si politikë ditore e opozitës, shkruan PRESSonline.mk

“LSDM të mos ik nga referendumi, populli duhet të ketë të drejtë të vendosë vetë. Referendumi është forma përfundimtare e shprehjes demokratike të vullnetit të popullit. Asnjë çështje apo proces nuk duhet të përjashtohet nga mundësia e daljes në referendum. Referendumi është një mundësi absolute që qeveria të dëgjojë dhe zbatojë mendimin e popullit. Nëse LSDM-ja dhe qeveria janë të bindur se kjo që po bëjnë me bullgarizimin e vendit është e drejtë, atëherë ku është problemi dhe pse po ikin nga referendumi. Me sa duket LSDM-ja dhe tradhtari Kovaçevski e dinë se populli është fuqishëm kundër bullgarizimit dhe për këtë po ikin nga referendumi. VMRO-DPMNE e pranoi nismën e referendumit dhe është mënyrë për të ruajtur gjuhën, historinë dhe identitetin. Populli duhet të dëgjohet”, thonë nga VMRO-DPMNE, përcjell PRESSonline.mk

Bullgarizimi i vendit, sipas LSDM në pushtet është vetëm se një gënjeshtër e VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti theksojnë se Maqedonia e Veriut negociatat me BE-në i ka nisur me identitet të ruajtur.

“Me fillimin e negociatave u shembën të gjitha gënjeshtra dhe trillime për gjoja bullgarizim dhe asimilim. Përkundrazi, negociatat me BE-në i kemi filluar me identitet të ruajtur me formulim të pastër për gjuhën maqedonase pa shtesa dhe fusnota. Në fund, po ashtu u vërtetua se koalicioni antievropian i VMRO-DPMNE-së dhe i së “Majtës” me vetëdije gënjeu dhe vazhdon të keqpërdor qytetarët. Maqedonia e Veriut filloi negociatat me BE-në pas 17 vitesh në dhomën e pritjes dhe kjo është një epokë e re për qytetarët tanë që sjell përfitime të shumta. Tani, pasi të gjitha gënjeshtrat për gjuhën dhe identitetin kanë shpërthyer si flluskë sapuni, kur të gjitha bllokadat dhe tentativat për destabilizimin kanë dështuar, është e nevojshme që të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë të japin kontributin e tyre në rrugën evropiane”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga kjo parti nënvizojnë se anëtarësimi në BE është një synim strategjik kombëtar dhe shtetëror i vendosur në ditën e pavarësisë, secili ka përgjegjësi ndaj qytetarëve për të siguruar një të ardhme evropiane për qytetarët dhe shtetin.(PRESSonline.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button