GostivarLajme

Bytyqi vizitoi kompaninë “Almero”: Importi i punëtorëve nga jashtë është opsioni i fundit

Kompania “Almero” nga Gostivari është një nga kompanitë e cila funksionon në rajonet më pak të zhvilluara të vendit tonë. Për të pasur zhvillim rajonal të barabartë, shteti e mbështet financiarisht këtë kompani për të rritur prodhimin dhe konkurrencën. Zv.kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi gjatë vizitës që i bëri kësaj kompanie, tha se ndihma vjen përmes Ligjit për marrëveshje financiare që ka Qeveria me kompanitë e prodhimit.

“Kjo kompani vendase tregon shkathtësi në kohë krizash dhe ka investuar në përmirësimin e cilësisë por edhe të konkurrencës. Për këtë arsye Qeveria e mbështet përmes marrëveshjes për ndihmë financiare të investimeve me masat për mbështetje për rritje të investimeve kapitale dhe të të ardhurave, por edhe mbështetje për rritjen e konkurrencës në treg. Almero është një nga kompanitë e shumta që ne e mbështesim dhe punon në rajonin më pak të zhvilluar. Kjo tregon se përmes përkrahjes së kompanisë si Almero në fakt kontribuojmë për zhvillimin e barabartë rajonal”, deklaroi Bytyqi.

Shteti këtë kompani do ta mbështesë financiarisht pesë vite me 33 për qind të vlerës prej 5.6 milionë euro që kjo kompani do të investojë brenda të njejtës periudhë kohore derisa merr mbështetje nga shteti.

“Almero ka një përkrahje financiare për pesë vite duke filluar nga viti 2021 deri në 2025. Do të përkrahet për komplet ciklin e investimeve i cili sipas parashikimeve është 5.6 milionë që do e bën Almero. Nga ne ka një intensitet të përkrahjes prej 33 për qind, në vite të ndryshme varësisht se si bëhen investimet, ashtu edhe përkrahet. Vitin e kaluar përkrahja ka qenë për investimet e bëra për vitin 2021, diku rreth 70.000 euro. Sivjet besoj se do jetë shumë më e madhe sepse kompania ka filluar të investojë në një objekt shumë më të madh me të cilin dukshëm do rritet edhe përkrahja e shtetit”, sqaroi më tej Bytyqi.

Duke marrë si shembull pronarët e rinj në moshë të Almeros, Bytyqi tha se importi i fuqisë punëtore nga jashtë është opsioni i fundit. Ajo çka na duhet, shtoi ai, është rikualifikimi i punëtorëve.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë që të gjithë të kuptojmë se duhet të ndryshojmë sepse vendet e reja të punës kërkojnë shkathtësi të reja. Opsion i fundit do të jetë opsion të sjellim dikë, në fakt ai është opsion kalues, nuk është zgjidhje e qendrusheme as për kompanitë e as për shtetin. Prandaj të fokusohemi në rikualifikimin e fuqisë punëtore ekzistuese në vend dhe ata të cilët janë të papunë mendoj se duhet të marrin shembull nga këta dy zotrërinjë që kam afër meje të cilët janë të rinj, të cilët kanë vendosur të jetojnë në vendin tonë dhe të punojnë në prodhim sepse kjo është e ardhmja”, deklaroi më tej Bytyqi.

Adem Agai nga kompania Almero bëri të ditur se kompania me investimin e ri që është duke e zhvilluar, do të krijohen 350 vende të reja pune. Ai tha se me cilësi edhe në Gostivar mund të sillet Evropa.

“Kemi pasur kontakte të më hershme edhe sot biseduam për ndihmën që e ofron shteti për ta shfrytëzuar. Deri tash kur kemi aplikuar për ndihmë, përkrahja ka qenë e madhe. Këtu dihet sa është kapaciteti i punës sonë, ndërsa te fabirka e re do të kemi kapacitet diku për rreth 350 persona për punësim. I gjithë prodhimi jonë është i orientuar për tregun e jashtëm. Ne jemi duker e prezentuar shtetin në çdo vend të Evropës dhe tregojë se edhe në Gostivar mund të bëhet Evropa me kualitet”, deklaroi Agai.

Ndryshe, kompania Almero merret me prodhimin e dyshekëve, shtretërve dhe jastëkut ku 70 për qind e prodhimit destinacion kanë vendet e huaja.

Show More

Related Articles

Back to top button