LajmeRajon

Debati për targat, serbët kërkojnë shtyrjen e afatit

Analisti Albinot Maloku ka thënë sot se Qeveria e Kosovës nuk duhet të shtyjë afatin për ndërrimin – regjistrimin e makinave në targat nga “KM, “PR”, etj., në RKS.

Gjatë debatit “Riregjistrimi i automjeteve, çështje teknike apo statusi” që u mbajt në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Maloku tha se qeveria duhet të krijojë lehtësira financiare dhe administrative për 10 muaj për regjistrimin e makinave me targave nga ato jo legale në legale, por jo ta shtyjë afatin, që përfundon në fund të këtij muaji.

Por, me këtë nuk janë pajtuar përfaqësues të OJQ-ve dhe analistë serbë, pjesëmarrës në debat.

Aleksandar Arsenijeviq- president i Iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe”, Branimir Stojanoviq – ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës dhe Miodrag Miliçeviq – drejtor ekzekutiv i OJQ “Aktiv”, thanë se Qeveria e Kosovës duhet të shtyjë afatin për targat, për të shmangur eskalimet e mundshme, sidomos në veri të vendit.

Sipas tyre, Qeveria nuk është konsultuar me qytetarë e as me përfaqësues politikë të serbëve kur ka vendosur për targat.

Gjatë debatit u tha se çështja e targave është politizuar skajshmërisht, duke dhënë edhe ide se si duhet të dilet nga kjo situatë

Analisti Albinot Maloku ka mbrojtur qëndrimin e Qeverisë së Prishtinës për targat. Ai ka thënë se vendimi për targat është marrë në bazë të marrëveshjeve të arritura me parë në Bruksel.

Ai ka fajësuar edhe rolin neutral të Bashkimit Evropian lidhur me marrëveshjet e arritur në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të shtyjë afatin për targat, por të krijojë lehtësira financiare dhe administrative për regjistrimin e makinave me targa në RKS, nga ato KM, PR, PE, etj., sepse lëshimet kanë prodhuar situata ku bisedohet për të njëjtën çështje me dekada. Edhe kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje të afatit është e paarsyeshme. Për mua problematike është edhe roli neutral i BE-së”- tha Maloku.

Branimir Stojanoviq, ish-zëvendës kryeministër, tha se afati për tagrat duhet të shtyhet. Ai tha se tema e targave nuk do të ishte ngritur nëse nuk do të kishte ndodhur lufta në Ukrainë, dhe kjo bëhet për të bërë që Beogradi t’ i vendos sanksione Rusisë. Por, ai ka përmendur edhe disa çështje tjera, si çështja e asociacionit e problemi me tokën e Manastirit të Deçanit.

“Ka edhe shumë probleme tjera përveç targave, çështjet e dialogut, ka me mijëra për serbët me të cilat mund të merrej Qeveria në Prishtinë për t`ua bërë jetën më të mirë dhe më cilësore, që serbët të ndihen më komod dhe më mirë seç ndjehen tani dhe ne nuk shohim asnjë gjurmë për të përmirësuar jetën e serbëve”- tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button