LajmeMaqedoni

Decentralizimi fiskal nevojë për Komunat, tema e debatit të organizuar nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Decentralizimi fiskal është temë që diskutohet me vite, por meqë ende vazhdon të diskutohet nënkuptohet që ende ka mbet temë që vetëm sillet si diskutim e asesi të marrë një epilog përfundimtar. Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” organizoi një debat të hapur mbi këtë temë me të ftuar katër kryetar komunash, Arben Taravarin nga Komuna e Gostivarit, Bilall Kasami nga Tetova, Isen Shabani nga Vrapçishti, dhe Maksim Dimitrievski nga Kumanova. Në mungesë të Billall Kasamit ishte përfaqësuesja, Florije Miftrari nga Tetova, ndërkaq Dimitrievski nuk ishte prezent në debat. Taravari dhe Shabani shprehet pengesat në menaxhimin e komunave si pasojë e centralizimit të tepruar. Mes tjerash u potencua që Maqedonia e Veriut është shteti më i centralizuar në Evropë, si dhe nevoja për një decentralizim fiskal është jetike, shkruan Zhurnal.

Decentralizimi fiskal temë e debatit të organizuar nga Instituti “Arber Xhafer”-

Decentralizimi fiskal ishte temë në panel diskutimin e organizuar nga instituti për Politika Publike ”Arbën Xhaferi”. Në këtë diskutim u fol për vështirësitë që përballen komunat në këtë drejtim, e sidomos tani në kohën e krizave ekonomike dhe energjetike. Arben Fetai, drejtori ekzekutiv i Institutit, tha se Maqedonia e Veriut në vazhdimësi cilësohet si njëra ndër vendet më të centralizuara në Evropë, në të njëjtën vijë me Moldavinë. Sipas tij, kjo dëshmohet sipas dy indikatorëve, raporti i të ardhurave komunale dhe të ardhurave publike dhe raporti mes të ardhurave komunale dhe bruto prodhimit vendor.

“Në vendin tonë raporti i të ardhurave komunale është 15.7 për qind krahas të ardhurave të përgjithshme publike, mesatarja rajonale është diku te 17.5, ndërsa ajo në vendet e Bashkimit Evropian shkon deri në 23.5 për qind, pra jemi shumë mbrapa” tha Arben Fetai, drejtor ekzekutiv i Institutit “Arbën Xhaferi”.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari tha se si kryetar i komunës së Gostivarit ka pasur bashkëpunime me shumë shtete tjera në nivel lokal, dhe se ka arritur në përfundimin se vendi ka probleme të shumta në lidhje me centralizimin fiskal.

“Unë si kryetar komune këto 5 vjet e kam pas rastin që të komunikoj dhe të kemi bashkëpunime me komunat e Bullgarisë, Shqiprisë, Kosovës, në Kroaci, në Slloveni dhe përshtypja jonë me ekipin që e udhëheqim komunën e Gosttivarit është se Maqedonia e Veriut është shteti më i centralizuar në Evropë” thaArben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Taravari përmendi si shembuj dy Komuna atë të Kavadarcit dhe Kumanovës për mbëedhjen e tatimit të pronave dhe sipas tij strategjinë e njëjtë do të mundohet ta aplikojë edhe në Komunën që ai udhëheq.

Këshilltarja e Komunës së Tetovës, e cila ka plotësuar mungesën e Kasamit tha se është shqetësues fakti që ende të diskutohet për mungesë financiare në aspektin e decentralizimit fiskal, dhe se nuk është arritur asnjë rezultat në këtë aspekt.

“Është shqetësuese fakti që gati dy decenie neve akoma po debatojmë për decentralizim funksional dhe fiskal. Ndoshta rastësisht unë kam qenë personi që ka marrë pjesë që në procesin e fillimit të implementimit të decentralizimit fiskal duke filluar që nga viti 2005 dhe neve akoma po bisedojmë”, tha Florije Miftari përfaqësuese nga Komuna e Tetovës.

Edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtës, Isen Shabani e theksoi këtë problematikë në Komunën që e udhëheq, duke vlerësuar se shpërndarja e mjeteve financiare nga pushteti qendrore nuk bëhet në mënyrë të barabartë.

Decentralizimi fiskal plan i Ministrisë së Financave por vetëm në letër jo edhe në vepër-

Nga Ministria e Financave thonë që Republika e Maqedonisë së Veriut ka zbatuar reforma në vetëqeverisjen lokale për një kohë të gjatë. Decentralizimi fiskal është një nga përparësitë të cilat dalin nga Partneriteti aderues së Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe është i lidhur ngushtë me transferet ndërqeveritare, për këtë shkak Qeveria ka vendosur për qasje të kujdesshme dhe në faza në zbatimin e tij.

Parimi kryesor i qasjes në faza është transferimi gradual i kompetencave, sipas rritjes së kapacitetit të pushteteve lokale për ndërmarrjen e këtyre përgjegjësive me sigurim të transferit të drejtë dhe të duhur të mjeteve. Deri në fund të vitit 2011, të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë kaluar në fazën e dytë të decentralizimit fiskal, përkatësisht i kryejnë aktivitetet e menaxhimit dhe financimit të kompetencave të decentralizuara në kulturë, arsim, mbrojtje sociale dhe mbrojtje të fëmijëve (përveç Komunës së Plasnicës).

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ndërmori masa dhe aktivitete për përforcimin e kapaciteteve për zhvillimin e politikave financiare dhe përforcimin e kapaciteteve për menaxhim financiar të komunave, të cilat kontribuan për rritje të konsiderueshme të të ardhurave të tyre. Në komuna, vazhdimisht përmirësohet arkëtimi i të ardhurave vetanake, posaçërisht të tatimeve të pronës. Kjo është edhe kërkesa e kryetarëve të Komunave që vazhdimisht e përsërisin kryetarët dhe e shohin si shqetësim.

Në debatin për temën e decentralizimit fiskal të gjithë kryetarët e Komunave dhe organizatorët njëzëri ranë dakord, që problem tjetër shqetësues për sa i përket qeverisjes Lokale është edhe centralizimi i tepruar që ndikon pastaj në mënyrë negative dhe selektive në Komunat me të cilat qeverisin përfaqësues të partive politike opozitare. Sipas tyre pushteti bllokon projekte të shumta në Komunat në të cilat udhëheq opozita, prandaj e shohin edhe si nevojë të patjetërsueshme decentralizimin.

Kjo për arsye që Komunat të kenë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi në përmbushjen e obligimeve të tyre, dhe që të kenë një buxhet të mjaftueshëm që të kryejnë projektet e hartuara. Pasi sipas tyre edhe në buxhetin e planifikuar për këtë vit janë të pakënaqur, pasi 60% e buxhetit sipas tyre shkojnë vetëm për paga të të punësuarve. /Zhurnal.mk

Show More

Related Articles

Back to top button