LajmeRajon

Deputetët e VV nuk i përkrahin mocionet e opozitës për ‘Trepçën’ dhe policinë

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër mocionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për ta futur në rend të ditës debatin parlamentar për minatorët.

Ata kanë abstenuar në mocionin për Policinë, pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri , ka thënë se AAK mbështet mocionin që si pikë e rendit të ditës të jetë edhe greva e minatorëve.

Tahiri theksoi se është po ashtu e rëndësishme të diskutohet edhe për kërkesat e Policisë së Kosovës.

“Duhet me urgjencë të trajtohen këto çështje se nëse vazhdohet ky zinxhir i protestave atëherë vendi dhe institucionet janë duke u devalvuar”, tha ai.

Mocioni u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kanë ftuar anëtarët e sindikatës së Trepçës që të vijnë në komision dhe të diskutojnë për kërkesat e tyre.

“Takimi është mbajtur kemi diskutuar katër orë të tëra, ne u dakorduam që në propozimin tonë që çështja e kryeshefit të trajtohet me urgjencë, të merret obligimi nga Ministria e Ekonomisë që pagat e minatorëve të ekzekutohen çdo muaj më së largu deri me datën 10 dhe të punohet për kushtet e punës, gjë të cilën qeveria tashmë e ka marrë miratimin për aprovimin e kredisë për 20 milionë euro investime në Kombinatin Trepça”, ka thënë Kusari-Lila.

Show More

Related Articles

Back to top button