LajmeRajon

Deri më tani kanë aplikuar afër 12 mijë prindër për subvencionimin e teksteve shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri në orën 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor në platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.

Nagavci ka bërë të ditur se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore, shkruan Syri.net Kosova

 “Kemi hapur sot platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.  Deri në ora 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor.Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre.

“Jemi të njoftuar poashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe kemi marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e poashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve. Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye.Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin libri@rks-gov.net do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore”.

Show More

Related Articles

Back to top button