LajmeMaqedoni

Dibër: Banorët e Kosovrastit në “betejë” për ujin

Ndërtuan vetë ujësjellësin, por duan t`ua marrin burimin

Vetëm rruga që zgjat diku 15 minuta për të arritur te rezervuari është sfidë e vërtetë.

E banorët e Kosovrastit të epërm, për ta furnizuar shkollën e fshatit me ujë, me vetëfinancim kanë ndërtuar sistem të ujësjellësit prej kilometrave.

Ndërtimi ka qenë sfidë në vete. Për shkak se nuk ka infrastrukturë rrugore, të gjitha materialet janë bartur nga vet banorët.
E gjithë kjo sakrificë, për ta sjellë ujin tek shkolla fillore ku mësojnë 126 nxënës.

Edhe pse punën e bënë vet, pa ndihmën e institucioneve, në fund, pasi përfunduan punën, u doli një problem shtesë.

“Na doli problem me pronarin e banjave të Dibrës, Mexhit Capën. Ai pohon se burimi që gjendet në fshatin tonë, është i tij”, deklaroi Safet Ravmanovski.

Pronarët e banjave të Dibrës thirren në një dokument që është nënshkruar prej përfaqësuesve të banjave  dhe bashkësisë lokale në vitin 1979. Në atë kohë, banjat ishin pronë e shtetit dhe nuk kishte plan të rregulluar urbanistik. Por, megjithatë, pronari ka kërkuar ekspertizë nga gjykata për të kuptuar gjendjen faktike.

Megjithatë, banorët e Kosovrastit të epërm, thonë që këtë burim ai asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar.

“Unë jetoj këtu 33 vite, por edhe banorët më të vjetër të fshatit tregojnë se 40 vjet, asnjëherë nuk e ka përdorur këtë ujë, por kur e ka parë se banorët tanë janë të vendosur që ta sjellin ujin deri tek fshati, ai dërgoi njerëz dhe na kërcënoi se do të na marrë ujin”, thotë Ravmanovski

Ky fshat është një ndër të rrallët ku numri më i madh i banorëve nuk është shpërngulu. Por nëse mbesin pa ujë, nuk ju mbet gjë tjetër përveç se të ikin.

“Nuk ka pasur shpërngulje nga fshati jonë, por tanimë kanë filluar që të ikin. E me këtë problem, mendoj që banorët edhe më shumë do të evitojnë që të ndërtojnë dhe të jetojnë këtu sepse uji është nevojë themelore për jetë”, u shpreh Ravmanovski.

Nga Komuna e Dibrës thonë se duart i kanë të lidhura sepse të dyja palët kanë hyrë në proces gjyqësor.

“Me sa kam informata është ngritur që të zgjidhet në mënyrë gjyqësore, ashtu siç është edhe rruga më e mirë. Pra është një kontest gjyqësor i cili duhet të zgjidhet në gjyq. Për sa i përket se sa autorizim ka Komuna e Dibrës që të ndërhyjë në këtë problematikë, ne në qoftë se paraqitet nevoja që edhe ne të ndërhyjmë aty, do të shohim të gjitha aspektet ligjore të cilat i ka komuna e Dibrës”, deklaroi Hekuran Duka, kryetar i komunës së Dibrës.

Përveç ujit, edhe një shkëmb i madh rrezikon që të shembët mbi shkollën, e me vite banorët kërkojnë të ndërtohet edhe një parking. Kryetari Duka tha se në afat prej 30 ditëve do të shpallet tenderi dhe këto çështje do të rregullohen./KlanMacedonia

Show More

Related Articles

Back to top button