LajmeMaqedoni

Dibër ngec legalizimi i shtëpive

Sipas të dhënave të shërbimit të urbanizmit pranë pushtetit vendor në Dibër për shkak të mos kompletimit të dokumenteve, një kohë të gjatë, pa zgjidhje kanë ngelur mbi 500 kërkesa

Vjollca SADIKU

Dibër, 30 korrik – Në komunën e Dibrës kohëve të fundit ka ngecje të legalizimit të objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje, ndërsa pronarët kanë kërkuar që ata të legalizohen duke dhënë kërkesa dhe duke bë kompletimin e dokumenteve. Sipas të dhënave të shërbimit të urbanizmit pranë pushtetit vendor në Dibër për shkak të mos kompletimit të dokumenteve, një kohë të gjatë, pa zgjidhje kanë ngelur mbi 500 kërkesa. Në bisedën që patëm me përfaqësuesin të shërbimit për urbanizëm pranë komunës Dibër, Gazmend Cami u informuam se është ul interesimi për kompletimin e dokumenteve të kërkesave për legalizim. Cami thekson se aktualisht 533 kërkesa janë evidentuar pa kompletim të dokumenteve. “Edhe pse pjesa dërmuese e mërgimtarëve tani është në vendlindje, nuk vërehet ndonjë interesim i tyre në lidhje me kompletimin e dokumenteve. Dy vitet e kaluara prezenca e pandemisë Kovid-19 pamundësoi ardhjen e mërgimtarëve, por edhe tani kur ata janë prezent nuk ka ndonjë interesim të madh që ata së bashku me familjarët e tyre që jetojnë në vendlindje të bëjnë kompletimin e dokumenteve”, thotë Cami.

Në këtë shërbim theksojnë se një ndër problemet kryesore janë çështjet të pazgjidhura juridiko pronësore mes anëtarëve të familjeve. Cami potencon se numri i përgjithshëm i kërkesave në komunën e Dibrës për legalizim ka qenë 3810 nga të cilët 3277 janë zgjidhur. Administrata komunale ka patur një dinamikë të shpejtë rreth zgjidhjes të lëndëve dhe vendimeve për legalizim, por probleme me mos kompletimin e dokumenteve e ka patur në kontinuitet, thotë Cami.

Kur jemi tek legalizimet e objekteve për banim dhe objekteve të tjera të theksojmë se në komunën e Dibrës legalizimet janë bërë si në qytet ashtu edhe në fshatra. Edhe gjatë këtij sezoni veror, sektori për urbanizëm pranë pushtetit vendor, ka apeluar tek personat të cilët kanë bë kërkesë për legalizim që të kompletojnë dokumentet. Por, interesimi si në dy vitet e kaluara për shkak të pandemisë edhe këtë verë deri në këto momente është i dobët. Për këtë çështje biseduam edhe me kompanitë të cilët merren me kompletimin e elaborateve të cilët janë pjesë e dokumenteve për marrjen e legalizimit. Edhe përfaqësuesit e këtyre kompanive theksojnë se dukshëm është ulur interesi për të përgatitur elaborate. Këto të dhëna faktikisht përputhen me vlerësimet që japin përfaqësuesit e sektorit për urbanizëm pranë komunës Dibër. Në drejtim të sferës së urbanizmit të theksojmë se institucionet kompetente potencojnë edhe faktin se kohëve të fundit ka një prezencë të rritjes të objekteve që ndërtohen pa leje qofshin ata në qytet, në fshatra por edhe në bregun e Liqenit të Dibrës. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button