LajmeMaqedoni

Editorial / Qytetarëve tryeza e bukës gjithnjë e më shumë po ju zbrazët, elitat politike t’ua zgjidhin problemet

Maqedonia e Veriut funksionon si shtet me dy standarde. Nga 1.8 milionë banorë sa i ka në përgjithësi, besohet se rreth 800 mijë deri në 1 milionë banorë jetojnë në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër nëpër qytetet tjera. Kjo situatë ka bërë që partitë politike dhe qeveritë e deritanishme, investimet kapitale t’i fokusojnë në Shkup, ndërsa qytetet tjera janë lënë thuajse në harresë. Kryesisht problemet janë evidente në qytetet në veri-perëndim të shtetit të cilat janë kryesisht të banuara me shqiptarë. Ende në vendbanimet shqiptare ka probleme me kanalizimin, me ujësjellësin, me rrymën elektrike, pa folur këtu për asfaltimin e rrugëve. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të revoltuar të kërkojnë largimin, duke parë se s’ka perspektivë adekuate në këtë shtet, shkruan “Zhurnal.mk”.

Partitë politike gjatë fushatave zgjedhore kanë premtuar standard më të mirë jetësor dhe ndërtimin e infrastrukturës kualitative e cila do të sjellë benifit në plan afatgjatë, por këto premtime harrohen sapo njëra ose tjetra parti e merr pushtetin. Kur formohet qeveria, partitë ballafaqohen me problemet politike, siç është integrimi në Bashkimin Evropian, sundimi i së drejtës, korrupsioni etj.

Pushteti duhet të bëjë shpërndarje të mjeteve në formë të barabartë për të gjitha komunat duke garantuar zhvillim edhe për rajonet e banuara me shqiptarë ku është qartë e dukshme se me vite mungojnë investimet kapitale.

Komunat e RMV si njësia bazë e vetëqeverisjes lokale përmes investimeve kapitale ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.Komunat përmes investimeve kapitale bëhen aktor shumë të rëndësishëm në përcaktimin e kahjes së zhvillimit në nivelin lokal. Rëndësia e projekteve kapitale në nivel lokal mundëson zhvillimin ekonomik dhe social.

Decentralizimi nuk duhet nënkuptuar vetëm zhvendosje të kompetencave për kryerje të shërbimeve komunale për qytetar por edhe decentralizim të obligimit dhe së drejtës që kanë kryetarët e komunave për zhvilluar komunën përmes Investimet kapitale.Analiza e strukturës së shpenzimeve kapitale përfshinë shpenzimet për objektet e tjera të ndërtimit, kjo kategori përfshin shpenzimet kapitale për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve; ndërtimin dhe furnizimin me ujë dhe kapacitetet tjera.Analizuar realizimin e gjithsej shpenzimeve kapitale prej vitit 2011 deri ne fund të vitit 2019 do të shohim se disa komunat kanë qenë më efikase në realizimin e investimeve kapitale dhe kanë investuar më shumë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.

Me theks të veçantë duhet të jetë zhvillimi i barabartë rajonal territorial në aspektin ekonomik, për arsye se përpos normave për rritjen ekonomike shumë është e rëndësishme dhe shpërndarja e barabartë e mjeteve nga ajo rritje ekonomike. Tendencat janë që rritja ekonomike të prekë çdo qytetar të vendit në mënyrë që njëtrajtshëm të rritet standardi dhe mirëqenia jetësore për çdo qytetar në çdo pjesë të territorit të Maqedonisë së Veriut, por fatkeqësisht jo që nuk po i prek rritja ekonomike, por më së shumti këto rajone po i prek varfëria.

Qeveria duhet të fokusohet për një periudhë afatgjate dhe të premtojë më pak, sepse pasojat përkatësisht vështirësitë nga kriza ekonomike vetëm se po rriten.

Gjithashtu për qytetarët e Maqedonisë së Veriut më shqetësues mbetet rënia e standardit të jetesës dhe rritja e çmimeve, ndërsa kryefjalë e zyrtarëve të lartë të shtetit muajve të fundit mbeten modalitetet për ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen bullgarëve në preambulë. Ky është kushti për Maqedoninë e Veriut që t’i hapet rrugë procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.

Anketa e realizuar së fundi nga Instituti Kombëtar Demokratik, NDI, ka nxjerrë në pah se 56 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, kundrejt 11.1 për qind që konsiderojnë se po ecën në drejtimin e duhur.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në bazë të anketës, si arsye kryesore se pse vendi po shkon në drejtim të gabuar kanë apostrofuar korrupsionin dhe krimin e organizuar me 18 për qind, të ndjekur nga çmimet e larta dhe inflacioni me 15.3 për qind, politikat e dobëta dhe performancën e Qeverisë me 14.2 për qind, pastaj varfërinë dhe standardin e ulët të jetesës me 7.8 për qind.

Vetëm tre për qind e të anketuarve kanë apostrofuar negociatat me BE-në dhe problemet me Bullgarinë, si arsye që Maqedonia e Veriut po shkon në drejtim të gabuar.

Qytetarët janë lodhur nga pritja prej tri dekadash që elitat politike t’i zgjidhin problemet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme ndërkohë, tryeza e bukës gjithnjë e më shumë është e zbrazët.

Pagat janë më të rëndësishmet, pasi siç është e dukshme rinia po largohet dhe në këtë vend mbeten vetëm të moshuarit. Rritja e çmimeve ka bërë që jeta të bëhet e papërballueshme. Dhe përveç të rinjve, mendja për të ikur nga ky vend iu ka mbushur edhe të moshuarve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Nëse qytetarët janë në kërkim të një standardi më të mirë jete për familjet e tyre, ashtu siç theksojnë anketat, kjo do të thotë se ata kanë dëshirë të qëndrojnë këtu dhe nëse qëndrojnë këtu, ekonomia do të ketë një numër potencial punëtorësh. Por, kjo mund të arrihet vetëm nëse realizohen investimet kapitale dhe në to përfshihen kompanitë vendore.

Kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, pavarësisht se paga mesatare në vend është rritur në 550 euro pasi shporta e konsumatorit është më e lartë se 800 euro.

Prandaj, partitë politike shqiptare, të mos bëjnë politika vetëm për interesa personale dhe interesa të votave të tyre, por të përqendrohen në përmirësimin e kushteve për rininë, e të mos lejojnë që ata të ikin për një jetë më të mirë në një vend tjetër, shkruan “Zhurnal.mk”.

Show More

Related Articles

Back to top button