LajmeMaqedoni

Ekonomia e bazuar në normat e interesit

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekziston një ngurrim i përhapur midis autoriteteve të vendeve në zhvillim për të lejuar përcaktimin e normave të interesit bazuar në treg. Ky ngurrim shpjegohet vetëm pjesërisht me papërsosmëritë e tregjeve financiare ose me faktin se në disa vende institucionet e mëdha financiare janë nën kontrollin e shtetit. Për këtë arsye, ka një tendencë që normat e interesit në vendet në zhvillim të jenë më të ulëta se normat aktuale të inflacionit, edhe kur normat e interesit në tregjet financiare ndërkombëtare janë shumë pozitive në terma realë. Represioni i normave të interesit prodhon norma më të ulëta kursimi sesa do të rezultonte nga normat e ekuilibrit të interesit, kryesisht për shkak se kursimet e brendshme financiare janë të dekurajuara. Normat e interesit nën-ekuilibër inkurajojnë gjithashtu bizneset të ndërmarrin investime me norma të ulëta kthimi, si akumulimi i inventarëve, në vend që të përdorin burimet e tyre për të ndërtuar impiante dhe pajisje të reja. Kur ndërmerren reforma në normat e interesit, niveli në të cilin duhet të rriten normat e interesit është një pyetje e vështirë. Normat e interesit shumë të larta priren të ulin rritjen ekonomike duke ulur kërkesën për investime. Në këto rrethana, mund të këshillohet që normat e interesit të mos përshtaten me normën aktuale të inflacionit, por me normën e inflacionit që pritet të mbizotërojë me zbatimin e politikave të reja.

Teoria e Keynes-it për transmetimin e normës së interesit tregon se ndryshimi i normës së interesit është në korrelacion negativ me ndryshimin e investimeve. Sipas teorisë neokejnsiane të transmetimit monetar, një rritje e normave të interesit do të shkaktojë një rënie të investimeve dhe një rënie të kërkesës për mallra të qëndrueshme konsumatore. Gjithashtu, duke qenë se normat e ulëta vazhdojnë për një kohë të gjatë në Maqedoninë e Veriut, kjo çon në një ndryshim të ekonomisë dhe strukturës së investimeve. Në veçanti, me norma të ulëta interesi humbasim stimujt për të mbajtur depozitat në banka, dhe rrjedhimisht, ka një akumulim parash nga njerëz që nuk i drejtojnë ato në ekonominë reale. Megjithatë, pas një kohe të caktuar, në rast të rigjallërimit të aktivitetit ekonomik, këto fonde do të drejtohen drejt ekonomisë reale, gjë që do të sjellë një rritje të inflacionit.

Ndër faktorët e shumtë që lidhen me kursimin e dëshiruar dhe investimin e dëshiruar është faktori i nivelit të normës së interesit natyror. Më shpesh, norma natyrore lidhet me rritjen e mundshme të prodhimit ose rritjen e produktivitetit. Rritja më e ulët e prodhimit potencial (ose rritja e pritshme e konsumit) shoqërohet me një normë më të ulët të interesit natyror sepse investimet priren të bëhen më pak tërheqëse për shkak të kthimeve më të ulëta dhe sepse amvisëritë priren të rrisin kursimet e tyre.

Koncepte të tjera të ndryshme të normave të interesit janë normat nominale dhe reale të interesit.Dallimet janë se pika e ekuilibrit të normës nominale të interesit është norma që zbatohet në tregjet e parasë, pika e ekuilibrit të normës reale të interesit i referohet prodhimit. Me fjalë të tjera, është shkalla që e mban prodhimin e ekonomisë të barabartë me potencialin e saj, në përputhje me çmimet dhe pagat fleksibël, por edhe me rritjen e vazhdueshme të tyre.

Nga sa më sipër, nuk besojmë se politika monetare në Maqedoninë e Veriut e ndjek një efekt kaq të qëndrueshëm në normat reale afatgjate nga këndvështrimi i prodhimit potencial dhe jo ndjekjes së tendencave globale të lëvizjes së normave të interesit. Nëse normat e politikës së Bankës Popullore të RMV-së “tërheqin” vazhdimisht normën ekuilibër nga poshtë, sipas rregullit të Taylor-it, do të kishim një tepricë të kërkesës për investime, e cila do të çonte në inflacion. Nuk kishim as investime e as inflacion deri para periudhës së krizës energjetike. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror Statistikorë, prodhimi industrial në Maqedoninë e Veriut nga viti 2005 deri në vitin 2022 ishte mesatarisht 1,36 %. Në strukturën teknike të Bruto Investimeve (GFCF) në vitin 2020, ndërtimi zë vend me 58.5%, makineritë dhe pajisjet me 31.4%, dhe pjesa tjetër e (GFCF) është 10.1%. Pyetja është nëse faktorët që kanë çuar në norma të ulëta të interesit afatgjatë do t’i mbajnë normat e interesit më të ulëta në terma afatgjatë. Përgjigja është se norma natyrore e interesit është e pavëzhgueshme dhe vlerësimet ndryshojnë shumë.

Nëse përmbledhim të gjithë analizën e normave të interesit sipas literaturës ekonomike dhe kërkimeve empirike, gjithmonë bëjmë supozimin se huadhënësit nëpërmjet normës së interesit i jepen të drejtat e konsumit nga persona të tjerë (huamarrësi). Lind pyetja se nga i merr huadhënësi këto të drejta në emër të normës së interesit?

Përgjigjen për këtë pyetje e gjejmë në hulumtimin e Erbakan (1991), ku në vijim do të shpjegojmë sistemin e drejtë ekonomik mbi të cilin mbështetet. Nëse dikush prodhon një mall, ai mund ta shesë atë të mirë sipas çmimit të tregut. Prodhuesi ka të drejtën e vlerës së parave të konsumatorit, pra për të njëjtën shumë parash sa çmimi i atij malli. Në këtë kontekst, paraja përfaqëson një shkëmbim të të drejtave të konsumatorit me shoqërinë.

Prodhuesi prodhon një të mirë dhe ia ofron shoqërisë, ai merr vlerën ekuivalente në para. Paratë dërgohen (depozitohen) në bankë. Pas një viti, depozituesi ka të drejtë për paratë e tij dhe interesin vjetor. Por gjatë vitit të fundit ai nuk ka prodhuar, pra nuk ka prodhuar vlerën relative të të drejtave të tij për konsum shtesë ose (konsum) që ka marrë në formën e kamatës, pra nga ka ardhur kjo tepricë?

Nga kjo rezulton se në formën e interesit atij i jepen të drejtat e konsumit nga persona të tjerë. Ku i merr ekonomia e bazuar në interes këto të drejta për konsum shtesë? Ose paratë e reja derdhen në qarkullim, gjë që rezulton në inflacion dhe në fund shkurton të drejtat e konsumit të të gjithë qytetarëve. Ose, nga ana tjetër, çmimet rriten, kështu që konsumatori duhet të paguajë një çmim më të lartë për mallrat në krahasim me çmimin real. Kështu që të drejtat e konsumatorit reduktohen për t’iu dorëzuar në mënyrë të “pamerituar” huadhënësit të lartpërmendur.

Këto praktika janë të padrejta dhe shfrytëzuese. Ato nënkuptojnë se dikush që ka fituar shuma të mëdha kapitali në këtë mënyrë mund të gjenerojë fitim pa pasur nevojë të prodhojë ose të krijojë një vlerë të barabartë me mallrat. Në realitet, paraja përfaqëson vetëm një entitet simbolik përshkrues. Paraja nuk është objekt (send). Ndryshe nga objektet, parasë i mungon një karakteristikë unike për të qenë një mall, për shembull: ajo nuk i nënshtrohet shkatërrimit natyror.


Shkruan: Doc. Dr. Dashmir Saiti

Show More

Related Articles

Back to top button