LajmeMaqedoni

Ende asgjë nga marrëveshja e paralajmëruar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për rrugën Tetovë-Prizren

Autoritetet  e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk japin informata se kur do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim për hartimin e projektit edhe pse paraprakisht kanë paralajmëruar që marrëveshja pritet të nënshkruhet në fund të shtatorit, njofton Portalb.mk.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugën Shtetërore të Maqedonisë (NPRSH), thonë se marrëveshja është konstatuar, por për atë se kur duhet të nënshkruhet duhet të japin informata nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë se Marrëveshja për bashkëfinancim për projektim mes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për hartimin e projektit, është konstatuar, por deri kur është procedura për nënshkrimin e Marrëveshjes, ju drejtojmë që të kërkoni përgjigje nga ministria kompetente”, thonë për Portalb.mk nga NPRSH.

Megjithatë, nga Ministria, nuk përgjigjen ndaj pyetjeve të dërguara nga Portalb.mk.

Përgjigje nuk japin as nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës.

Më 6 shtator të këtij viti, drejtori i NPRSH-së, Ejup Rustemi deklaroi se ministritë e të dyja vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm, ndërkaq Ministria e RMV-së, e ka dërguar në Kosovë versionin e parë për marrëveshje, për çka do të duhet të kthejnë vërejtje dhe më pas autoritetet e RMV-së t’i shqyrtojnë dhe nga fundi i shtatorit të ketë marrëveshje, e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët prej 6,4 kilometra.

Pas asaj, siç tha Rustemi, do të vazhdohet me projektimin e rrugës (në RMV) që çon deri në hyrje të tunelit. “Së pari, kemi projektin, kemi revidimin e projektit dhe mbas asaj realizimin e punimeve”, tha Rustemi.

Show More

Related Articles

Back to top button