LajmeRajon

Escobar raporton në Kongres: Përafrimi me SHBA-të vetëm dobi i sjell Kosovës

I dërguari amerikani SHBA  për Ballkanin Perëndimor Escobar ka raportuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Ai ka folur edhe për Kosovën dhe situatën e tensionuar që mbizotëroi në veriun e vendit gjatë muajve të fundit.

Gabriel Escobar, tha se ka marrë zotime nga Serbia se nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëroi pasoja nëse vepron ndryshe. Escobar ka thënë se shpreson për një përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e fundit sidomos ajo e Ohrit ofron një mundësi të pabesueshme për të dyja vendet për krijimin e një marrëdhënie paqësore dhe afatgjate për të hapur derën drejt rrugëtimit evropian. Marrëveshja i kërkon Serbisë që të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial, të pranojë simbolet shtetërore, dokumentet qeveritare, pasaportat, letërnjoftimet dhe që të mbahet nga bllokimi i integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nga ana kosovare kërkohet që të implementojë obligimet ekzistuese për themelimin Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Ne besojmë që të dyja vendet duhet që menjëherë të angazhohen pa parakushte. Të dyja vendet duhet të fillojnë procesin e pjesës së tyre të detyrimeve . Pra, ne përkushtohemi që të dyja vendet të marrin parasysh detyrimet ekzistuese dhe të ecin sa më shpejtë që është e mundur. Po shpresojmë që do të arrijmë progres të konsiderueshëm këtë vit në këtë drejtim”, ka theksuar ai.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se janë të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe komunitetin transatlantic ndersa shtoi se në mënyrë aktive janë duke u përpjekur të bindin Qeverinë e Kosovës që të shohë ShBA-të si partner primar.

“I kemi bërë kërkesat tona në mënyrë shumë të qartë, shumë të zëshme. BE në anën e tyre, ka vendosur sanksione, edhe ne, e kemi tërhequr Kosovën nga një ushtrim shumë i madh ndërkombëtar ushtarak si reagim ndaj kësaj dhe kërkojmë mënyra të tjera të partneritetit me një prej aleatëve tanë më të afërt në rajon. Më duhet të them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-të por me gjithë komunitetin transatlantik dhe kjo përfshinë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, NATO-n , QUINT-in dhe fqinjët, Shoqërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prap po kërkojmë në mënyrë aktive, mënyra të cilën mund ta bindim qeverinë që të shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon dhe përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës, nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta”, ka thënë Escobar.

Duke folur për rajonin, Escobar ka thënë se pengesat janë mjaft të mëdha, progresi i ndalur në demokratizim, korrupsioni,  varësia energjetike nga Rusia, politikat etnonacionaliste, dezinformimi i dëmshëm janë vetëm disa prej sfidave, por që, sipas tij, nuk janë të patejkalueshme.

Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

Escobar ka deklaruar se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë Escobar.

Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

“Ne kemi qenë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në zgjedhje. Kemi marrë zotimin që ata do të marrin pjesë në zgjedhje dhe ka pasoja nëse kjo nuk zbatohet”, ka thënë ai.

Show More

Related Articles

Back to top button