LajmeMaqedoni

Eskobar fton opozitën maqedonase t’i mbështet ndryshimet kushtetuese

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nën-komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, theksoi se Uashingtoni e mbështet procesin për ndryshime kushtetuese që do të mundësojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por se është i angazhuar edhe me qeverinë e re të Bullgarisë për të siguruar që ajo të mos bëjë kërkesa të reja.

Të zgjedhurit e popullit – deputetët, këtë verë do t’i reduktojnë ditët e pushimit, duke pasur parasysh se Propozimi për ndryshime kushtetuese ka hyrë në procedurë Parlamentare, ndërsa kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka caktuar mbledhje të Komisionit për Çështje Kushtetuese për të martën, më 25 korrik. Votimi për Propozimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës të dërguar nga Qeveria duhet të jetë në seancën parlamentare të caktuar me 18 gusht, shkruan Indeks.mk

Vendimin për ndryshime kushtetuese Qeveria e mori në seancën e 171-të, duke iu përmbajtur angazhimeve për vazhdimin e rrugës së integrimit evropian të vendit, ndërsa VMRO-DPMNE opozitare dhe partitë në koalicionin e saj mbeten të qëndrimit se janë për BE-në, por jo, siç thonë ata me çmimin e diktatit bullgar. Për ta, ndryshimet kushtetuese të propozuara janë të papranueshme dhe të paarsyeshme.

Siç ka njoftuar Qeveria, ndërhyrjet në Kushtetutë i referohen futjes së komunitetit bullgar dhe disa komuniteteve tjera në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës – në formulimin:

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, një pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak dhe të tjerët”, pas fjalës populli boshnjak vendoset presje dhe shtohen: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven… Në përputhje me këtë, edhe në Komisionin për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve është bërë amendament për të ruajtur barazinë e përfaqësuesve në Parlament të të gjitha komuniteteve të përcaktuara në Preambulën e Kushtetutës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se këto janë ndryshime kushtetuese të cilat, siç tha ai, nuk ndërhyjnë në asnjë çështje identiteti.

“Nuk ka pasur asnjë koment negativ në media dhe askund. Ne jemi një shoqëri multi-etnike multi-profesionale që është shembull i Evropës. Dhe mendoj se 120 deputetët në Parlament do të kenë vizion, virtyt dhe guxim për të marrë një vendim që do të thotë integrim evropian i vendit dhe mbi të gjitha sigurim i një të ardhmeje më të mirë evropiane për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Kovaçevski, përcjell Indeks.mk

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, përsëriti se amendamentet kushtetuese siç janë nën diktimin bullgar, në mënyrën se si janë dorëzuar nëParlament, jo vetëm që nuk janë të pranueshme, por Qeveria e komplikon edhe më shumë procesin duke përcaktuar një tekst të amendamenteve kushtetuese që jo vetëm është i papranueshëm, por edhe i paarsyeshëm.
Sipas Mickoskit, propozimi, ashtu siç është, e kërcënon edhe më shumë pozitën e vendit në kuadër të progresit drejt BE-së.

Në anën tjetër dy partitë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) mbështesin pa kushte ndryshimet kushtetuese, me të vetmin qëllim që Maqedonia e Veriut të ecë pa pengesa në rrugën e saj drejt BE-së.

Ndërkaq, Lëvizja BESA dhe Alternativa kanë caktuar kushtet e tyre për ti mbështetur ndryshimet kushtetuese, me çka renditen në anën e opozitares VMRO-DPMNE e cila i kundërshton ndryshimet e nevojshme kushtetuese, dhe me këtë edhe përcaktimin strategjik të vendit anëtarësimin e plotë në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka deklaruar se kemi edhe pak muaj për t’u përgatitur për hapjen e klasterave dhe kapitujve dhe për të vazhduar procesin negociator.

“Çelësi është te ne, të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi politike, pjekuri dhe përgjegjësi ndaj të tashmes dhe të ardhmes së vendit”, ka deklaruar Osmani, përcjell Indeks.mk

Në dy javët e fundit ministra nga disa shtete evropiane, të cilët ishin në Shkup për takime me qeverinë dhe opozitën, dërguan mbështetje dhe mesazhe për të bërë ndryshimet kushtetuese. Ata besojnë se tani është momenti për të vazhduar rrugën evropiane, pra ndryshimin e Kushtetutës, por edhe se duhet të punohet edhe për reforma, duke filluar nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, reforma në administratën publike e të tjera.

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori David Gir, ka deklaruar se është e rëndësishme që të ketë një debat publik lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe se e mirëpresin atë që ndodhi me miratimin e tekstit për ndryshimet kushtetuese në Qeveri.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese, thotë Gir, është një vendim sovran i vendit tuaj, është një çështje që duhet ta trajtojë vendi juaj.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nën-komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, theksoi se Uashingtoni e mbështet procesin për ndryshime kushtetuese që do të mundësojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por se është i angazhuar edhe me qeverinë e re të Bullgarisë për të siguruar që ajo të mos bëjë kërkesa të reja.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe janë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në NATO, të cilët po mbrojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.(Indeks.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button