BotaLajme

Familjet e pengjeve në Gazë marshojnë për të dashurit e tyre

Familjet e rreth 240 pengjeve që besohet se po mbahen nga Hamasi në Gazë kanë filluar një marshim pesë ditor nga Tel Avivi në Jerusalem. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Tel Aviv Linda Gradstein, familjarët e pengjeve kërkojnë që qeveria izraelite të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre.

Për familjet e pengjeve këto ishin javë plot vuajtje – javë të tëra pa asnjë lajm nëse të dashurit e tyre janë gjallë. Tani ata po marshojnë drejt Jerusalemit.
Yuval Aran i mbijetoi masakrës në vendbanimin Be’eri, por shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë tre fëmijë, u morën peng nga Hamasi.

“Jam i shqetësuar gjatë gjithë kohës. Jam gjithnjë duke vuajtur dhe nuk mund të rri më ulur në shtëpi. Më duhet të bëjë diçka dhe po i bashkohen këtij marshimi me të gjitha familjet e pengjeve tjera dhe me tërë vendin”, thotë zoti Aran.

Në një video të Hamasit, të postuar në rrjete sociale, mbesa e zotit Shaul Levy, Naama, shihet teksa rrëmbehet nga militantët. Zoti Levy thotë se ai po marshon për t’i dërguar qeverisë një mesazh.

“Po fillojmë marshin nga muzeu i Tel Avivit për në Jerusalem. Shpresojmë të takojmë qeverinë, kryeministrin, për të theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç t’i kthejmë të gjithë në shtëpi,” thotë ai.

Forumi i familjeve të pengjeve dhe të të pagjeturve ka kërkuar që vëmendje e posaçme t’u kushtohet mbi 30 fëmijëve që janë rrëmbyer pa prindërit e tyre. Ata besojnë se njëra nga gratë e rrëmbyera ka lindur ndërkohë që po mbahet peng.

“Kërkoj nga Benjamin Netanyahu dhe nga i tërë kabineti qeveritar të na japin përgjigje dhe vepra. Nuk na ka mbetur më forcë. Ktheni fëmijët tanë dhe ktheni familjet tona në shtëpi,” tha nëna e pengut, Shelly Shem Tov.

Izraeli beson se Hamasi dhe Xhihadi Islamik po i mbajnë pengjet në tunelet poshtë ndërtesave në Gazë, përfshirë spitalet, akuzë që Hamasi e mohon.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tregon një tunel që çon drejt asaj që ai e quan labirinth dhomash nëntokësore nën spitalin e fëmijëve Rantisi në Gazë.

Show More

Related Articles

Back to top button