LajmeMaqedoni

Fillon Këshilli për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut

 Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borelli, komisari evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varheji, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane kanë mbërritur në Qeveri, ku do të mbahet takimi i 16-të i Këshillit për Stabilizim  dhe Asociim ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut me të cilin do ta kryesojë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiqi dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Takimet e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet vendit dhe Bashkimit Evropian deri tani janë mbajtur në Bruksel, dhe kjo është hera e parë që një takim i tillë të mbahet në Shkup, që nga ana e Maqedonisë së Veriut vleësohet  “një sinjal të shkëlqyer në vetvete”.

Sipas paralajmërimeve, në takim do të bisedoet për statusin e reformave, progresin në integrimet evropiane dhe për marrëdhëniet dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes për  Stabilizim dhe Asociim. 

Përveç pjesëmarrjes në takimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, është paraparë Borelli sot të takohet edhe me shefin e shtetit Stevo Pendarovskin, me ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, si dhe me nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Kuvendor për Çështjet Evropiane. 

Borelli dhe Varheji në vend mbërritën dje vonë pasdite nga Tirana, ku  paraprakisht gjatë ditës morën pjesë në takimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim BE-Shqipëri. Në aeroportin e Shkupit, dy përfaqësuesit e lartë të BE-së u pritën nga zëvendëskryeministri Mariçiq, i cili në një postim në Fejsbuk ka shkruar se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë  mbështetjen politike që e kanë nga BE-ja për të garantuar stabilitet, paqe dhe perspektiva evropiane të rajonit.

Borelli  para se të vijë në vend, në një intervistë për MIA-n, tha se Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i një shoqërie multietnike dhe se me ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë shtesë do të avancohen të drejtat themelore në vend dhe në të njëjtën kohë do të ruhen identiteti maqedonas dhe vendi do të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE. 

“Anëtarësimi në BE nuk mund të jetë projekt i një partie politike, por duhet të jetë një aspiratë për të gjithë vendin. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në BE, pasi duan t’i përkasin një komuniteti vlerash dhe të kenë dobi  nga kufijtë e hapur, udhëtimit të lehtësuar, tregut të brendshëm dhe standardeve të BE-së në tërësi. Shkurt, qytetarët duan paqe, prosperitet dhe një jetë më të mirë në BE, për ta dhe fëmijët e tyre. Prandaj përgjegjësi e të gjithë liderëve tuaj partiak është të punojnë dhe ta realizojnë këtëqëllim”, thotë Borelli. 

Ai thekson se negociatat për anëtarësim në BE janë një proces i bazuar në merita dhe se vlerësohet progresi i arritur në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara dhe zbatimin e standardeve dhe reformave të BE-së.

 Në të njëjtën kohë edhe përfaqësuesit e BE-së nga Brukseli, porositën se ndryshimet kushtetuese janë në duart e juaja dhe ky është vendim i juaj sovran, por nga ana jonë porosisim qartë dritarja e mundësive është e hapur dhe Maqedonia e Veriut ka potencial të madh të ecë përpara, duam ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE, por duhet të bëhen hapa të caktuar për të cilët do t’iu shtyejmë përpara.  

 Qëndrimin në vend,  Borelli e vazhdon edhe nesër në Ohër, ku do të mbahet raundi i ri i  dialogut ndërmjet  Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së,   kushtuar normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella. Në Ohër është paralajmëruar prania e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq  nikoqir i të cilit do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Show More

Related Articles

Back to top button