LajmeMaqedoni

Gashi: Nëse nuk votohet kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së, do të bojkotojmë Kuvendin

Kryetari dhe deputeti i Alternativës, Afrim Gashi sot në konferencë për shtyp theksoi se do të bojkotojnë punën e Kuvendit nëse deri më 31 dhjetor nuk votohet kandidati i tyre për anëtar i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, Abdush Demiri.

Këtë Gashi e tha pas pauzës së njoftuar njëorëshe të seancës së Komisionit për çështje të emërimeve dhe zgjedhjeve nga kryetarja e Komisionit Marija Georgievska pas atmosferës së tensionuar në sallë pasi deputetja e koalicionit opozitar shqiptar Safije Sadiki Shaini  kërkoi të mos vendoset në votim propozimi për anëtar të KSHZ-së, Zulfi Adili i mbështetur nga Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës, i cili u refuzua nga anëtarët e partisë në pushtet.

“Nëse kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së nuk votohet deri më 31 dhjetor, ne do ta bojkotojmë Kuvendin. Para së gjithash, ne nuk do të marrim pjesë në punimet e Kuvendit, nuk do të marrim pjesë në seancat e komisioneve dhe do të ngremë alarmin tek qytetarët dhe faktori ndërkombëtar. Pas 31 dhjetorit, përveç bojkotit të Kuvendit, do t’i marrim të gjitha masat demokratike që të na vijë e drejta – të kemi anëtarin tonë në KSHZ. Ne do t’i shpallim planet dhe masat tona nëse nuk plotësohet kushti deri më 31 dhjetor”, tha Gashi.

Kur ligji është i qartë, thekson Gashi, nuk mundeni gjithçka të detyroni, sepse, siç tha, keni një votë më shumë në Komisionin për emërime dhe zgjedhje.

“Vazhdon cirku dhe maskarada e manipulimit për t’i hequr të drejtën opozitës shqiptare për të pasur anëtarin e saj në KSHZ. Këtë të drejtë tonën të përcaktuar me ligj, askush nuk mund ta heqë nga ne. Më vjen keq që kryetari i Kuvendit së bashku me kryetaren e Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje duan të manipulojnë procesin. Çfarë po ndodh?-pyeti Gashi.

Gashi theksoi se nëse nuk kanë një anëtar në KSHZ, do t’i mohohen të gjitha të drejtat dhe tha se kjo betejë do të jetë shumë e papërshtatshme dhe e pabarabartë.

“Ne nuk do të lejojmë që KSHZ-ja të përbëhet në mënyrë të paligjshme dhe të vazhdojë me punën e saj, sepse ne nuk do të marrim pjesë në ato zgjedhje. Do të bëjmë gjithçka që të mos ndodhë një proces zgjedhor në vend, nëse kjo e drejtë e jona mohohet”, tha Gashi.

Show More

Related Articles

Back to top button