LajmeMaqedoni

Gir: Identiteti s’humbet gjatë rrugës për në BE

Gjuha dhe identiteti nuk humbasin në rrugën drejt BE-së, tha ambasadori evropian Dejvid Gir, duke komentuar kërkesën e VMRO-DPMNE-së për miratimin e garancisë së re nga Këshilli i BE-së. Në njërin prej kushteve për mbështetjen e amendamenteve kushtetuese, partia ka kërkuar që Këshilli të japë garanci për identitetin, kulturën dhe gjuhën maqedonase, por Gir shprehet se gjuha tashmë është në kornizën e bisedimeve pa asnjë kualifikim. Ambasadori evropian thotë se nuk duhet të priten garanci shtesë nga Brukseli.

“Unë nuk mendoj se është reale të presësh marrëveshje më të mirë me Bullgarinë sesa ajo që u bë vitin e kaluar dhe rezultoi me hapjen e negociatave të pranimit në korrik. As nuk duhet të priten marrëveshje të re, garanci apo premtim të mëtejshëm në lidhje me procesin aderues, duke përfshirë çështjet e përmendura si identiteti”, deklaroi Dejvid Gir– ambasador evropian.

Qëndrim të njëjtë ka edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili thotë se identiteti maqedonas tashmë është i garantuar nga BE-ja. Ai kërkoi gjithashtu që opozita të deklarohet brenda një afati të caktuar, përkatësisht para votimit në Kuvend për nevojën e hapjes së Kushtetutës, të cilën qeveria e paralajmëron për javët në vijim.

“Jemi duke punuar në dy shtigje paralele– me opozitën në tërësi dhe me deputetët në Kuvend, se si do të hapet debati publik përmes komisioneve, etj. Që do të thotë se deri në ditën kur do të bëhet votimi i parë në seancë plenare janë të hapura opsionet për të arritur marrëveshje me opozitën për ndryshimet kushtetuese”, tha Bujar Osmani– ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani, megjithatë, nuk tha se kur do të jetë votimi i parë, që në fakt varet nga momenti kur Qeveria do t’i dërgojë në Kuvend propozim-amendamentet kushtetuese. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button