GostivarLajme

Gostivar, Taravari viziton pikën grumbulluese të ndihmave për Turqinë

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka vizituar të rinjtë e qytetit të cilët dy ditët e kaluara organizuan aksion për grumbullimin e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Pjesa më e madhe e ndihmave të cilat janë të vendosura te palestra sportive “Rinia” në Gostivar, ishin klasifikuar dhe vendosur nëpër pako. Me këtë aksion, Gostivari tregoi edhe një herë shpirtin solidar, tha Taravari dhe shtoi se Komuna e Gostivarit do të përgatis të gjithë dokumentacionin formalo – juridik që gjithçka e tubur të arrijë në vendin e duhur dhe pa pengesa.

“Është për ta përshëndetur këtë aksion i cili u organizua nga një grup të rinjësh nga Gostivari për solidarizim për tërmetin që ndodhi në disa komuna të Republikës së Turqisë. Gostivarasit gjithnjë kanë ditur të jenë solidar dhe në këtë rast shoh shumë materiale që i kanë mbledhur përmes qytetarëve, kryeshisht veshmbathje, batanije për familjet të cilat i kanë të rrënuara shtëpitë e tyre në Turqi. Besoj se këtu ka edhe njerëz të gatshëmn edhe për t’i transportuar pa asnjë lloj kompensimi, dhe normalisht komuna e Gostivarit do të merr përsipër që e gjithë kjo procedurë të formalizohet dhe të shkojë pa asnjë pengesë deri te njerëzit të cilët janë në gjendje të rëndë në këtë periudhë në Turqi”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Sadan Husein, njëri nga organizatorët, ka falenderuar komunën e Gostivarit për mbështetjen e dhënë dhe shtoi se deri më tani janë grumbulluar sasi e konsiderushme ndihmash me ushqime, veshje dimërore, batanije e gjësende të tjera.

“Aksionin e kemi organizuar me të rinjtë e qytetit dhe dua të falenderojë të gjithë banorët e Gostivarit pasi janë tejkaluar pritshmëritë tona nga mbështetja që kemi marrë. Disa gjëra u obliguam t’i kthejmë mbrapshtë pasi tepronin. Uroj që kjo ndihmë të arrijë sa më shpejtë atje ku duhet”, deklaroi Sadam Husein, organizator.

Fushata e Gostivarit për të ndihmuar Turqinë vazhdon ende, por vetëm për ata që dëshirojnë të dhurojnë mjete monetare.

“Për momentin jemi duke pranuar vetëm ndihmë në para pasi siç e shihni këtu kemi tubuar mjaftueshëm gjësende të tjera. Ai që ka mundësi urojmë që të dhuroj edhe para”, deklaroi Sadan Husein, organizator.

Ndryshe, ndihmat e grumbulluara përmes kësaj fushate së shpejti do të nisen për në Turqi me transport të organizuar.

Show More

Related Articles

Back to top button