GostivarLajme

Gripi, katër pacientë në Gostivar janë në mbështetje të oksigjenit / S’ka raste me Covid 19

Katër pacientë për shkak të gjendjes së përkeqësuar me grip mbahen në respirator.Bëhet fjalë për pacientë më të moshuar të cilët kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Ratko Naumoski, shef i Repartit Infektiv në Gostivar sqaron se kanë edhe 23 pacientë të tjerë që i trajtojnë në repart. Ndërkohë, brenda ditës ndodh që të kenë edhe nga 80 kontrolle ambulantore.

“Gripi merr përmasa të mëdha, brenda ditës kemi 70-80 pacientë ambulantorë dhe repartin e kemi poltë. Fillimisht vinin pacientë me infektime të pjesëve të sipërme respiratore, kurse tani edhe në pjesën e poshtme me bronkit dhe bronkopneumoni. Katër pacientë i kemi në trajtim me oksigjen. Bëhet fjalë për pacientë më të moshuar me bronkopneumoni”, deklaron Ratko Naumoski, shef i Repartit Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit.

Numri i pacientëve që trajtohen nga gripi stinor është shumë i lartë në Gostivar, thonë mjekët pasi pos në Spital ata trajtohen edhe nëpër ambulanta private . Megjithatë, edhe përskaj gjendjes së përkeqësuar te disa prej tyre, asnjëri nuk ka rezultuar pozitiv me Covid – 19.

“Këto që janë te ne i testojmë edhe për kovidin me test PCR dhe të gjithë kanë rezultat negativ”, sqaron Ratko Naumoski shef i Repartit Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit.

Naumoski sqaron më tej se pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e gripit, janë ata që qendrojnë në ambiente të mbyllura dhe ku pihet shumë duhan.

“Moti është i tillë dhe pas rënies së borës besoj se ajri pak do të pastrohet dhe lus që mos qendrohet në hapësira të mbyllura, sa më shumë të ajrosen hapësirat. Më shumë pacientë na vijnë që kanë qendruar nëpër kafeteri e çajtore dhe tregojnë se kanë pasur më shumë kontakte me persona të tjerë gjë që nuk preferohet gjatë kësaj periudhe. Pastaj, ata që vijnë në spital duhet të respektojnë rekomandimin për mbajtje të maskave ashtu siç i mbajmë edhe ne edhe pse na thonë se gjoja i mbajmë për imazh por kjo nuk është e vërtetë, as unë nuk do kisha dashur ta mbajë maskën 24 orë, por duhet ta mbajë pasi kështu mbroj shëndetin tim dhe të tjerëve dhe të njejtën gjë duhet ta bëjnë edhe pacientët”, deklaron Ratko Naumoski, shef i Repartit Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, Gostivarit ishte ndër qytete me më shumë persona të prekur nga gripi, gjithsejt 123. Në raport ishte regjistruar edhe një vdekje lidhur me gripin. Bëhej fjalë për një 65 vjeçar nga Gostivari i cili ishte i shtruar në Klinikat e Shkupit, i cili ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kardiovaskulare dhe pulmonare. Edhe në repartin e pediatrisë pranë Spitalit të Gostivarit është rritur numri i pacientëve, ku mjekët në dy javët e para të vitit kanë bërë mbi 800 ekzaminime dhe pesëdhjetë janë shtruar në spital për shkak të komplikimeve nga gripi. Ndërkohë, mantelbardhët theksojnë se piku i gripit sapo ka filluar dhe kjo situatë do të zgjasë deri në fund të shkurtit, ndërsa ditëve në vazhdim pritet të rritet numri i të prekurve nga gripi te grup-moshat e reja, kjo për shkak të nisjes së gjysëmvejtorit të dytë shkollorë.

Show More

Related Articles

Back to top button