GostivarLajme

Haxhinjtë kthehen në vendlindje / Grupi i parë prej 180 haxhinjëve ishte nga Gostivari

Grupi i parë i haxhinjëve të Maqedonisë së Veriut është kthyer nga vendet e shenjta, qytetet e Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite, ku shkuan që të kryejnë haxhin, shtyllën e pestë të Islamit. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, haxhinjtë që u kthyen me linjë të drejtpërdrejtë nga Medina, u pritën nga anëtarët e ngushtë të familjeve, të cilët u dëshiruan mirëseardhje të afërmve të tyre që udhëtimin e tyre e filluan nga fundi i muajit qershor. Haxhinjtë në aeroport i priti edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, i cili tha se është i kënaqur dhe i gëzuar për shkak se gjithçka ka kaluar në mënyrën më të mirë.

“Tani ishim në pritje të haxhinjëve që vijnë nga bota arabe. Edhe ne jemi shumë të kënaqur për shkak të asaj se haxhinjtë janë të kënaqur me rendin në vendet e shenjta, mirë i kanë kryer të gjitha detyrimet që i kërkon haxhi në Mekë, veçmas vizitat në qytetin e Muhamedit alejhi selam, qytetin e Medinës”, deklaroi Fetai.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga Arabia Saudite mbërriti grupi i parë me 180 haxhinj, të gjithë nga qyteti i Gostivarit. Mesine tyre ishte edhe muftiu i Muftinisë së Gostivarit, Sabahudin Zendeli.

“Jemi grupi i parë i haxhinjëve të BFI-së të RMV-së, gjegjësisht haxhinjë nga Muftinia e Gostivarit. Me aeroplanin e parë udhëtuan 180 haxhinj dhe mund të them se organizimi i sivjetëm i haxhit nga BFI është ndër më të mirët deri më tani duke filluar nga organizimi, fluturimet me aeroplan, akomodimet nëpër hotele të cilët ishin rreth Qabes së bekuar, por gjithashtu edhe në Medine pranë Xhamisë së Profetit Muhamed. Kryesia e Haxhit por edhe ekipi i mjekëve kanë qenë 24 orë në shërbim të haxhinjëve”, tha mes tjerash muftiu Zendeli.

Të gjithë haxhinjtë e Gostivarit dhe rrethinës, janë kthyer shëndoshë e mirë nga vendet e shenjat. Sipas fjalëve të vet atyre, haxhi ka shkuar më së miri pa ndonjë problem, duke qenë gjatë gjithë kohës nën kujdesin e organizatorëve dhe mjekëve. Ata kanë uruar që Zoti çdo njërit ti mundësojë kryerjen e Haxhit, ndërsa shtojnë se emocionet janë të papërshkruara nga qëndrimi në vendet e shenjta dhe se nuk kanë për ti harruar kurrë.

“Shumë mirë, shumë mirë kemi kaluar. Faaleminderit organizatorëve, gjithçka ishte në rregull edhe më tepër se ajo që pritej. Zoti atyre sevabe për organizimin e mirë”.

“Kemi kaluar shumë mirë, ekipin e kishim shumë të mirë dhe mendoj se kemi bërë një haxh të mirë dhe i falenderojë ata si organizatorë”.

“Haxhi është një kënaqësi e madhe dhe i falenderohem Zotit që na dha mundësinë të vizitojmë vendet e shenjta, faleminderit edhe muftiut të Gostivarit, hoxhën e Debreshit dhe hoxhën e fshatit Çajlë. Haxhi është kushti i pestë i besimit Islam, atje duhet shkuar i ri dhe i gatshëm e me shëndet”.

“Falenderojë Zotin që na mundësoi të shkojmë e kthehemi mirë, faleminderit edhe Reisit i cili doli edhe na përcolli dhe tani na pret këtu. Faleminderit edhe muftiut të Gostivarit Sabahudin Zendeli, pasi të gjitha premtimet që na i dha i ka realizuar. Jemi shumë të kënaqur pasi atje gjithçka shkoi në rregull, i kishim hotelet e mira, ushimin e mirë dhe farzet i kemi kryer të gjitha. Sivjet shkuan 1.000, lutem vitin tjetër të shkojnë 10.000 mijë”, deklaruan disa nga haxhinjtë që i intervistoi Tv Globi në Aeroportin Ndërkombëtarë të Shkupit.

Ditëve në vazhdim është paraparë të mbërrijnë edhe haxhinjtë e tjerët, ku gjithsej janë 919 haxhinj që sivjet nga Maqedonia e Veriut shkuan në haxh.

Show More

Related Articles

Back to top button