LajmeRajon

Haxhiu: Serbia nuk ka kthyer përgjigje për sulmin në Banjskë

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi se kanë refuzuar kërkesën e Serbisë për bashkëpunim në rastin e Millan Radojiçiqit. Ajo tha se kjo kërkesë bie ndesh me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, për çka tha se Serbia duhet t’i dorëzojë prova institucioneve të Kosovës për sulmin terrorist në veri të vendit.

Haxhiu theksoi se kanë dorëzuar dy herë kërkesa për ofrimin e provave që ndërlidhen me Millan Radojiçiqin. Ajo foli edhe për përleshjen me armë në Prishtinë, për çka deklaroi se është e papranueshme që grupet kriminale të tolerohen para sistemit të drejtësisë.

Ajo tha se është e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë për dorëzimin e kriminelët e luftës por edhe ata që kryen sulmin terrorist në Banjskë.

“Vetëm Kosova ka kompetencën për të adresuar sulmin terrorist që ka ndodhur në Banjskë. Dy herë radhazi institucionet e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë i janë drejtuar Serbisë, në këtë rast institucioneve përgjegjëse për ofrimin e provova që ndërlidhen me kryeterroristin, Millan Radojiçiq, por edhe terroristët tjerë që kanë marrë pjesë në këtë sulm terrorist. Serbia deri më tani nuk ka kthyer përgjigje, por siç e dini ajo çfarë ka ndodhur së fundmi është që Ministria e Drejtësisë i është referuar me kërkesë institucioneve të Republikës së Kosovës, nëse e shohim kërkesën kërkon prova për këtë rast. Duhet ta ketë të qartë Serbia që i vetmi shtet që ka të drejtë që të hetojë këtë rast është Republika e Kosovës, në këtë rast Prokuroria Speciale. Në vend që të bëjë kërkesa të tilla që provat të transferohen në Serbi, është e rëndësishme që gjitha provat lidhur me këtë rast t’i dorëzojë pranë institucioneve të Kosovës. Kërkesa e Serbisë është refuzuar dhe bie ndesh me nenin 85 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar”, deklaroi Haxhiu.

Sa i përket rastit të përleshjes me armë në Prishtinë para disa ditëve, ku mbeti i vrarë një person, Haxhiu tha se është e papranueshme që këto raste të tolerohen nga institucionet e drejtësisë.

“Është tepër e rëndësishme që institucionet të mbahen përgjegjëse për veprimet të cilat edhe i kanë të përshkruara me Kushtetutë edhe me legjislacionin në fuqi. Në këtë rast ju inkurajojë që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, në gjykatën kompetente, kushdo që është marrë me këtë rast. Për mua është e papranueshme që kriminelë, grupet kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo të tentpojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderohen që janë mbi ligjin apo mbi shtetin. Prandaj në këtë rast bëjë thirrje secilit institucion që të kryejë detyrat me përgjegjësi të lartë, në mënyrë që të mos lejojë kriminelët apo grupet kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Në këtë rast janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm, i kemi parë xhirimet, videot që kanë qarkulluar”, tha ajo.

Në konferencë për media, Haxhiu u pyet edhe për raportimet se kosovari Liridon Rexhepi është arrestuar nga policia turke, me pretendimet se ishte kreu i rrjetit financiar të agjencisë izraelite të intelegjencës, Mossad në Turqi. Ajo tha se institucionet e Turqisë kanë dërguar pyetje me shkrim për këtë rast.

“Na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë, po sa hyra në këtë konferencë, dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, në përgjithësi këto çështje janë të ndjeshme sidomos kur jepet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet. Unë kam kërkuar nga drejtori i departamentit që të më njoftojë vetëm për çështje të cilat mund të njoftohet publiku”, përfundoi Haxhiu. /Kosovapress

 

Show More

Related Articles

Back to top button