LajmeMaqedoni

Hoda: Partitë shqiptare të shkojnë me një platformë të përbashkët në zgjedhje

Kemi harruar kur kemi pasur debate maqedono-shqiptare, ndërsa ato shqiptaro-shpiptare dominojnë dhe vetëm se kush do shajë e akuzojë më shumë. Kështu shihet skena politike nga shumica prej nesh, thotë Besim Hoda përfaqësues i OVL-UÇK-së. Ai në emisionin “Politica” në televizionin Globi theksoi se ky debat që sizakonisht zhvillohet në Kuvend, transmetohet edhe te popullata, ndërsa i njejti nuk zhvillohet për mbrojtje të ndonjë interesi aq më pak të atij kombëtar, por për interes të politikës ditore. Hoda thotë se tani është momenti që subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të dalin me një platformë parazgjedhore dhe pastaj pavarësisht kush i fiton zgjedhjet, ajo të jetë bazë për formimin e qeverisë së ardhshme. Theksi, i asaj platforme, duhet të vendoset sipas Hodës te statusi i veteranëve dhe luftëtarëve të vitit 2001, si dhe te barazia e plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ne kemi dalë në vitin 2006 dhe kemi dokumente të shkruara. Ka qenë dita e shtunë kur u kemi shkuar dhe që mos përfitojnë politikisht nga prezenca e OVL-së së atëhershme, kemi nënshkruar një memorandum me të gjitha partitë politike shqiptare për njohjen e ligjit për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës dhe për legalizimin e UÇK-së si një strukturë ushtarako-politike e cila e ndërroi Kushtetutën e Maqedonisë dhe me të cilën marrëveshje Maqedonia sot mburet dhe ka trokitur në të gjitha dyert në instancat ndërkombëtare për të ecur përpara. Atëherë por edhe pastaj ne kemi deklaruar, jo vetëm në ato zgjedhje por edhe në 2011, 2013 dhe gjithçka kemi të shkruar, kemi dalur dhe kemi kërkuar që partitë politike shqiptare në prag të zgjedhjeve pa filluar fushata të ulen bashkë dhe të ndërtojnë një platformë politike dhe të japin dorën njëri-tjetrit dhe kushdo që të fitojë në zgjedhje do ti mbështes ata tre ose katër pika që janë strategjike dhe me interes kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Besim Hoda, përfaqësues i OVL-UÇK-së.

Hoda nuk e sheh të arsyeshme përzierjen e politikës zyrtare të Prishtinës apo të Tiranës te politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Me telefonata nga miq nuk mund të emërosh dikë nëpër pozita pasi ata individë pastaj nuk do ta mbrojnë interesin e shqiptarëve në Maqedoni, shton më tej Hoda.

“Kam deklaruar që moti mbi zotin Kurti sepse njihem me të që moti që çdo tendencë e përzierjes direkte qoftë Kosovë qoftë Shqipëri me individë të caktuar brenda për brenda, do të ishte një gabim strategjik ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Mendimi im i cili është edhe konstatim se deri më tani shqiptarët e Maqedonisë kanë vuajtur shumë për shkak se disa individë nga Kosova në veçanti me ndikim politik, kanë emëruar miqtë e tyre me telefon dhe kanë instaluar duke vendosur në pozicione kyçe shumë të rëndësishme te shqiptarët e Maqedonisë. Dhe, partitë politike shqiptare, konkretisht z. Ali Ahmeti për të ruajtur miqësinë me shokët e vjetër, ai i ka pranuar këta dhe këta individë jo gjithmonë kanë mbrojtur interesin e shqiptarëve të Maqedonisë pasi ata kanë pas pas shpinës së tyre mikun nga Kosova ose nga Shqipëria”, deklaroi Besim Hoda, përfaqësues i OVL-UÇK-së.

Loja me përzierje nga jashtë duhet të mbarojë thekson Hoda, sipas të cilit Kurti dhe Rama si kryeministra, njëri i Kosovës e tjetri i Shqipërisë mund të japin mbështetjen e tyre dhe duhet ta bëjnë një gjë të tillë për shqiptarët në Maqedoni, por jo të përzihen si individ në ndërtimin e politikave të shqiptarëve në Maqedoni.

Ndryshe, Deklaratën e fundit e përbashkët e partive politike shqiptare të RMV-së daton që nga viti 2016-të, e cila u nënshkrua në Tiranë në prezencë të kryeministrit Rama nga liderët e partive parlamentare shqiptare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit 2016 dhe përmbanë 18 zotime që u paraqiten si agjenda e përbashkët politike shqiptare. Shtatë vite nga nënshkrimi i saj, duket se vetëm 4 nga 18 zotimet e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare janë zbatuar e që janë: Krijimi i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve; Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, rekomandimet e Pribesë, rekomandimet urgjente të Komisionit Evropian si dhe rekomandimet nga Dialogu i lartë me BE-në; Krijimi i institucioneve qëndrore për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, që erdhi si pasojë e miratimit të ligjit për gjuhët; Zgjidhja e çështjes së emrit, përmes Marrëveshjes së Prespës. Të gjitha zotimet tjera, ose nuk u trajtuan fare ose u zbatuan vetëm pjesërisht.

Show More

Related Articles

Back to top button