LajmeMaqedoni

Hyn në fuqi pakoja për rrymë më të lirë për prodhuesit e ushqimit

Prej sot kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë mund të aplikojnë për rrymë më të lirë, si pjesë e pakos qeveritare për zbutjen e pasojave të krizës për veprimtaritë që i sigurojnë nevojat bazë të popullsisë. Rrymë më të lirë do të kenë edhe shkollat, në mënyrë që të parandalohet ndërprerja e procesit mësimor, si dhe ndërmarrjet publike të cilat sigurojnë ujë për pije ose i pastrojnë ujërat e zeza. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për shtyp sërish e ka akuzuar opozitën për bllokimin e mjeteve nga institucionet ndërkombëtare, të planifikuara për zbutjen e pasojave të krizës energjetike.

Që të mos vijë deri te ndërprerja, as rritjet e mëdha të çmimeve në furnizimin me produkte ushqimore dhe në furnizimin me ujë, të mos ketë ndërprerje të procesit mësimor në shkolla ose ngecje të punës në institucionet shëndetësore, Qeveria mundëson që këta konsumatorë vitalë të sektorit publik të shfrytëzojnë rrymë më të lirë, në vlerë 80 deri 95 euro për megavat orë, të paktën deri në fund të muajit prill të vitit të ardhshëm, derisa zgjat gjendja e krizës energjetike.

“Që të fillojnë të furnizohen me energji elektrike nga dita e parë e muajit të ardhshëm të gjithë të interesuarit është e nevojshme që më së voni deri në datën 10 të muajit në vazhdim ta dorëzojnë në Elektroekonominë e Maqedonisë së Veriut – Shitje marrëveshjen e nënshkruar me dokumentacionin e nevojshëm. Qytetarët nuk do të mbeten vetëm në ballafaqimin me krizën, për ne janë njësoj të rëndësishëm edhe furnizimi me rrymë, ashtu edhe ai me ushqim. Rrymën edhe më tej do ta subvencionojmë me 80% për mbi 600 mijë amvisëri, për 72 mijë kompani të vogla të cilat punësojnë 98% të punëtorëve në shtet” – tha Dimitar Kovaçevski.

Show More

Related Articles

Back to top button