LajmeRajon

INTERPOL-i lëshon urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin

Me kërkesë të autoriteteve kosovare, organizata ndërkombëtare policore – INTERPOL ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin, i dyshuar si organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjska të Komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës, raporton Anadolu.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka konfirmuar për Anadolu se INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin.

“Urdhri është lëshuar. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka paraqitur kërkesë në INTERPOL përmes UNMIK-ut (Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (UNMIK)”, tha Rashiq.

Kosova ende nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe urdhër-arrestet ndërkombëtare lëshohen nëpërmjet UNMIK-ut.

Milan Radoiçiq fillimisht u arrestua nga autoritetet serbe, por, më vonë, Gjykata e Lartë në Serbi njoftoi se ka hedhur poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për Milan Radoiçiqin, i cili pranoi se organizoi sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator.

Njëkohësisht, të pandehurit iu caktua masa e ndalimit për t’u larguar nga Serbia. Me këtë masë, i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar të dalë nga territori i Serbisë pa pëlqimin e gjykatës. Gjithashtu, të pandehurit i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës si dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent.

Nga sulmet e 24 shtatorit në Banjska humbi jetën polici kosovar Afrim Bunjaku.

Show More

Related Articles

Back to top button