LajmeRajon

Ish-krerët e UÇK në Hagë, seanca të mbyllura në mbrojtje të dëshmitarëve

Tre dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura.

Edhe ato pak minuta që janë parë, imazhi dhe zëri i tyre kanë qenë aq të transformuar, saqë pakkush e ka kuptuar se çfarë kanë thënë.

Gjyqi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale.

Sipas gjykatësve, redaktimi i dëshmive dhe dëshmitë në seanca të mbyllura janë procedurë e rregullt ligjore, e cila aplikohet në rastet kur prokuroria, në konsultim me dëshmitarin, e kërkon një gjë të tillë.

Monitoruesit e proceseve gjyqësore, në anën tjetër, thonë se duhet të ketë balancë mes transparencës dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

Gjyqtari amerikan, Dean Pineles, ka një përvojë gjyqësore mbi 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka punuar në Kosovë si gjyqtar penal ndërkombëtar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, nga viti 2011 deri në vitin 2013.

Duke komentuar procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve, ai thotë se ky nuk është një proces i zakonshëm, pasi, sipas tij, “figurat më të rëndësishme të Kosovës në 24 vjetët e fundit” akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“A e dini se sa tmerruese mund të jetë kjo për shumë dëshmitarë”, pyet Pineles teksa komenton mbylljen e vazhdueshme të seancave gjatë dëshmisë së dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./rel

Show More

Related Articles

Back to top button