Juventusi kërkon Mario Mitajn, trajneri Tiago Mota ka miratuar lëvizjen

Juventusi kërkon që t’i vërë trajnerit të ri, Tiago Mota, një skuadër sa më kompetitive për sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye po lëviz me shumë shpejtësi për të arritur sa më shpejt tek objektivat e vendosur.

Ideja është ajo që përveç përforcimit dhe shtimit të cilësisë në mesfushë, që ishte edhe nevoja primare, role të caktuara të jenë të blinduar edhe me rezerva të të njëjtës cilësi, siç është korsia e krahut të majtë për shembull. Nëse në të deri në epokën “Alegri” lëvizte Aleks Sandro, për Motën titullari i atij pozicioni është Andrea Kambiaso, të cilin “Konti Maks” e transformoi në një mesfushor të djathtë.

Por nëse Kambiaso mund të bëjë shumë mirë edhe në pozicion të tjera të fushës, Juventusi kërkon që të jetë i mbrojtur gjithsesi në krahun e majtë të mbrojtjes dhe po shpejton bisedimet me shqiptarin Mario Mitaj. Titullari i kuqezinjve në Europianin gjerman aktivizohet në Rusi, në radhët e skuadrës së Lokomotivës së Moskës, me të cilët në sezonin e fundit luajti 21 ndeshje në kampionat dhe 6 në kupë.

Drejtuesit e Lokomotivës e vlerësojnë kartonin e lojtarit të lindur në Athinë (Greqi) 12 milionë euro, ndonëse kjo shifër, të paktën nga drejtuesit e Juventusit, duket e ekzagjeruar. Arsyeja nuk lidhet me cilësitë e Mitajt, të cilin bardhezinjve ia ka sponsorizuar edhe ish-trajneri i Kombëtares Edi Reja, por për faktin që kontrata e tij skadon në vitin 2025, prandaj “Zonja e Vjetër” beson të ulë çmimin në të paktën 7-8 milionë euro.

Nga ana e tij, Mario Mitaj, do të transferohej me vrap në Torino, pasi për të do të ishte hapi më i madh i karrierës dhe do të shtonte koloninë kuqezi në Serinë A. Drejtori Xhuntoli është në punë, pas marrjes së OK-it edhe nga Tiago Mota.