BotaLajme

Kina te dera, strategjia e gjigantit aziatik për të zëvendësuar SHBA-të në një rend të ri botëror

Nga Michael Schuman “The Atlantic

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Pekini është angazhuar prej vitesh, për t’u larguar nga shtyllat e rendit global të udhëhequr nga SHBA-të, duke përmbysur institucionet e tij themelore, normat ndërkombëtare dhe idealet liberale. Por presidenti kinez Xi Jinping, nuk kishte ofruar një vizion gjithëpërfshirës se si mund të funksiononte një rend alternativ i udhëhequr nga Kina.

Por gjërat në këtë drejtim po lëvizin tashmë. Xi ka shpalosur tashmë idetë e tij për një rend të ri botëror, të konkretizuar në një Nismë të Sigurisë Globale (GSI), një platformë parimesh mbi çështjet ndërkombëtare dhe diplomacinë, për të cilat ai argumenton se mund ta bëjnë botën një vend më të sigurt.

Këtu përshihen janë disa propozime që duken tërheqëse. Kështu në to thuhet se vendet duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut, të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit, dhe të jenë të vëmendshëm ndaj interesave të ndryshme kombëtare për të arritur “sigurinë e të gjithëve”, siç u shpreh vetë Xi në një fjalim të mbajtur në muajin prill.

“Ne duhet të punojmë bashkë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në botë. Vendet në mbarë botën, janë si pasagjerët në të njëjtën anije, që ndajnë të njëjtin fat”- theksoi ai. Por pas fjalëve të bukura, fshihet një kërcënim më i thellë. Nisma mund të quhet edhe Manifesti i Autokratit.

Pasi parimet dhe praktikat e tij, do të krijonin një sistem global më miqësor ndaj regjimeve represive sesa rendi aktual, i bazuar siç është tek idealet demokratike. GSI është prova më e fundit, dhe ndoshta më shqetësuese, se përballja midis SHBA-së dhe Kinës, po përshkallëzohet në një garë të plotë për epërsi globale.

Ajo që nisi si një luftë tregtare mbi praktikat diskriminuese të biznesit nga ana e Pekinit, dhe një luftë teknologjike për të dominuar industritë e së ardhmes, është shndërruar sot në një luftë idesh, në një betejë për të vendosur normat që rregullojnë çështjet globale.

SHBA-ja dhe Kina, janë të përfshira në një luftë për të përcaktuar se si do të ndërveprojnë vendet, për legjitimitetin e formave të ndryshme të qeverive, rregullat e tregtisë, si dhe domethënien që kanë të drejtat e njeriut. Administrata Biden, është e vendosur në mbrojtjen dhe forcimin e tij që Uashingtoni e quan rendi global “i bazuar në rregulla”, duke pasur në qendër të politikës së saj për Azinë, për të kundërshtuar kërcënimin e Pekinit.

“Kina është i vetmi vend që synon ta riformojë rendin ndërkombëtar, dhe për këtë po përdor gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike. Vizioni i Pekinit, do të na largonte nga vlerat universale, që kanë mbështetur aq shumë progresin e botës gjatë 75 viteve të fundit”- deklaroi në maj Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Por udhëheqësit kinezë nuk i shohin kështu gjërat. Për Pekinin, rendi ekzistues është bërë në thelb armiqësor ndaj Kinës, dhe po i kufizon ambiciet e saj globale. Duke mbështetur demokracinë si formën e vetme legjitime të qeverisjes, sistemi e minon statusin e shtetit autoritar të Kinës në skenën botërore.

Ç’është më e keqja, po nga sipas këndvështrimit të Pekinit, ai i jep SHBA-së dhe partnerëve të saj leva të panevojshme diplomatike, ekonomike dhe ideologjike, duke e lënë Kinën të pambrojtur ndaj sanksioneve dhe presioneve.

“Politikë-bërësit kinezë besojnë se rendi aktual global, është i orientuar drejt hegjemonisë së SHBA-së, dhe se fuqia më e madhe në botë po bën gjithçka që mundet për të frenuar, shtypur dhe rrethuar Kinën. Ata duan të krijojnë një infrastrukturë për një botë më të përqendruar tek Kina, ose të paktën një botë më pak të përqendruar tek SHBA-ja dhe Perëndimi”- thotë

Tuvia Gering, studiuese në Institutin për Strategjinë e Sigurisë në Jerusalem.

Nga ana tjetër, axhenda e Pekinit është e diktuar edhe nga narrativa e saj mbi “rënien e pashmangshme të SHBA-së” dhe “rritjen e Kinës”. Ajo pretendon se Uashingtoni dhe demokracitë perëndimore, janë bërë të paafta për ta udhëhequr botën. Për Pekinin, kjo u pa edhe tek reagimi i tyre i dështuar ndaj pandemisë së koronavirusit.

Kina, dhe konkretisht Xi, të cilin Pekini e propagandon si një teoricien të shkëlqyer, mund të ofrojnë zgjidhje të reja. Në një ese të botuar në prill, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, shkroi se GSI “ofron zgjidhjet e Kinës për sfidat e sigurisë ndërkombëtare”. Ndoshta u nxit ta shpallte GSI-në nga lufta në Ukrainë, pasi një nga parimet kryesore të saj është kundërshtimi i sanksioneve “të njëanshme”.

Edhe pse nuk e përmendin në mënyrë specifike SHBA-në, shumë nga pikat që përmban kjo nismë, synojnë mjetet e ndikimit amerikan, përfshirë sanksionet ekonomike dhe preferencën e Uashingtonit për veprimin kolektiv. Për disa liderë botërorë – sidomos ato autokratike – GSI mund të jetë tërheqës.

Shumë prej tyre do të preferonin të ishin të lirë nga standardet amerikane të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, dhe nga predikimi dhe presioni i Uashingtonit për t’iu përmbajtur atyre. Në versionin kinez të një rendi botëror, udhëheqësit kombëtarë lejohen të bëjnë pak a shumë si të duan brenda kufijve të tyre. Kështu GSI ka potencialin të bëhet shtylla kurrizore ideologjike e një sistemi alternativ, të udhëhequr nga Kina, që bashkon shtetet jo-liberale që janë në opozitë me SHBA-në.

Por Pekini synon gjithashtu të bashkojë edhe elementët e rendit aktual, dhe t’i ripërdorë ata për të promovuar idealet dhe interesat e veta. Sidomos veçanërisht Kombet e Bashkuara, ku kinezët kanë punuar tashmë shumë për të promovuar parimet e tyre politike.

Ashtu si të gjitha fuqitë e mëdha (përfshirë SHBA-në), Kina është më e interesuar të vendosë rregulla sesa t’i zbatojë ato. GSI sulmon “sanksionet e njëanshme” të Perëndimit ndaj Rusisë, edhe pse vetë i imponon ato ndaj Australisë dhe Lituanisë, për t’u bërë presion për politika më të favorshme.

Sesa larg mund të shkojë Xi me GSI është e paqartë. Sfida e Pekinit do të jetë të bindë vendet e tjera, se nuk do të zëvendësonin thjesht hegjemoninë amerikane me atë të Kinës. Por kinezët besojnë se koha është në anën e tyre. Ndërsa fuqia e tyre rritet, zëri i tyre mbi çështjet globale do të bëhet më i rëndësishëm, së bashku me importin e ideve të tyre.

Me shumë gjasa, GSI mund të jetë pjesë e themelit ideologjik të një sfere të re kinocentrike, e përbërë kryesisht nga shtete jo-liberale dhe klientë të Kinës. SHBA dhe shumë shoqëri të tjera demokratike, duket se nuk kanë gjasa që të pranojnë parimet e Pekinit, duke e ndarë rendin aktual botëror, në vend se ta zëvendësojë atë.

Bota që parashikojnë Pekini dhe GSI është ajo ku në fakt, nuk ka asnjë komunitet ndërkombëtar, dhe ku regjimet represive si ai e Kinës mund të abuzojnë sa të duan me qytetarët e tyre, dhe të ndjekin me logjikë të ftohtë qëllimet e tyre kombëtare, siç bën Putin në Ukrainë, ndërsa vendet e tjera kthejnë kokën nga ana tjetër. Sigurisht, rendi i udhëhequr nga SHBA-ja ka problemet e veta. Por problemi do të ishte zëvendësuesi i tij kinez. /abcnews.al/

Show More

Related Articles

Back to top button