LajmeMaqedoni

Komuna e Strugës ndalon ecjen me rroba plazhi nëpër çarshi, sipas avokatit Dereban nuk ka bazë juridike për shenjat dhe sanksionet

Ndalimi për lëvizjen me rroba plazhi përmes qendrës së Strugës, përkatësisht nga ura e Çarshisë deri në tregun e qytetit, është miratuar për arsye morale dhe etike dhe respekt ndaj biznesit dhe qytetarëve, njofton Komuna e Strugës.

Një vendim i tillë, siç bëhet me dije për MIA-n, ka ardhur nga takimet e rregullta me Komisionin për Parandalim para sezonit turistik, ku janë diskutuar disa tema.

“Në një nga takimet, përveç pikave të rregullta, është diskutuar edhe tema e veshjes me rroba plazhi në vende publike. Tema ka nisur si rezultat i disa raportimeve të qytetarëve, të cilët shprehin shqetësimin e tyre për lëvizjen në çarshi dhe dyqane në qendër të qytetit me rroba plazhi. Për arsye morale dhe etike dhe respekt për bizneset dhe qytetarët, të cilët lëvizin këtu me familjet e tyre, ne kemi marrë masa paralajmëruese gjatë lëvizjes me rroba plazhi”, thuhet në përgjigjen e shërbimit për shtyp komunal për arsyet nga të cilat ka ardhur vendimi. 

Nga aspekti juridik, sipas avokatit dhe anëtarit të Këshillit të Komunës së Strugës, Alen Dereban, nuk ka pasur bazë për vendosjen e shenjave dhe as për sanksionim.

“Këshilli ka programe vjetore dhe në to është paraparë se në cilat vende do të vendosen shenjat. Në këtë rast, Këshilli nuk ka marrë vendim për vendosjen e atyre tabelave. Nuk ka bazë ligjore për vendosjen e tyre, as sanksionimin e mosrespektimit”, thotë Dereban në një deklaratë për MIA-n.

Komuna e Strugës pesë ditë më parë në faqen e saj zyrtare në Fejsbuk njoftoi se është e ndaluar të ecësh me rroba plazhi në zonën qendrore të qytetit dhe kërkoi nga mysafirët dhe turistët që të respektojnë rregullat e sjelljes së mirë dhe rendit publik, duke mos shfaqur lakuriqësi në vende dhe hapësira publike.

Show More

Related Articles

Back to top button