LajmeMaqedoni

Kovaçevski: Edhe sipas zgjidhjeve aktuale ligjore mund të punohet mbi 40 orë, me pëlqim të punëtorit

Konform zgjidhjeve ligjore aktuale në vendin tonë edhe për momentin mund të punohet më shumë se 40 orë, pra 50 orë. Ka një numër të madh të punëtorëve që punojnë 50 orë sipas zgjedhjes së tyre dhe me pëlqimin e tyre, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevsli duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për shpalljen e publikuar nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) për angazhimin e punëtorëve që do të punojnë në ndërtimin e katër autostradave nga dy korridoret 8 dhe 10d dhe nëse punëtorët e punësuar do të punojnë çdo javë me nga 40 orë punë.

“Për momentin në vendin tonë kemi ligje që vlejnë. Nëse miratohen zgjidhje ligjore që do të parashikojnë kushte të tjera të punës, atëherë do të zbatohen ato kushte të tjera të punës. Ndryshe, edhe tani, konform me zgjidhjet ligjore, mund të punohet më shumë se 40 orë, pra 50 orë. Ashtuqë ka një numër të madh të punëtorëve që punojnë 50 orë sipas zgjedhjes së tyre dhe me pëlqimin e tyre”, tha Kovaçevski i cili së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski sot kanë qenë në komunën e Butelit për të inspektuar ndërtimin e objektit më të madh social në vend.

Kovaçevski theksoi se sipas marrëveshjes 51 për qind e punëve duhet të kryhen nga nënkontraktorët e vendit, ndërsa pjesa tjetër janë të huaj.

Kryeministri përsëriti se me kontraktorin “Behtel dhe Enka” është nënshkruar kontratë prej 400 faqesh ku janë të definuara të gjitha detyrimet e dy palëve kontraktuese – kontraktorit dhe shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga NPRRSH-ja dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe për të gjitha detajet gjatë ndërtimit do të informojnë edhe nga Komiteti drejtues, Ministria dhe Ndërmarrja Publike.

Ai përsëriti se Marrëveshja me “Behtel dhe Enka” nuk publikohet, pasi si marrëveshje tregtare përmban pjesë me tregues të konfidencialitetit, pra sekret afarist të kompanisë kontraktore, të dhëna që ajo dëshiron t’i mbrojë nga konkurrenca. Vetë marrëveshja, shtoi Kovaçevski, tashmë është dorëzuar në Prokurori.

Kryeministri theksoi se korridoret do të fillojnë të ndërtohen dhe do të përfundohen.

“Të gjithë ata që nuk duan ta shohin vendin me infrastrukturë moderne, që nuk duan ta shohin vendin të lidhur me vendet e rajonit dhe si pjesë e BE-së, për fat të keq do të duhet t’i zhgënjejmë, sepse do të ketë Korridor 8 dhe Korridor 10d dhe anëtarësim në BE, ashtu siç kishte anëtarësim në NATO”, tha Kovaçevski.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në pyetjen e gazetarëve përsëriti se të gjitha obligimet janë të përshkruara në kontratë, interes strategjik dhe synim strategjik i shtetit është ndërtimi dhe realizimi i shpejtë i këtij projekti për ndërtimin e korridoreve, për të cilin siç tha ai, “publiku me kohë do të informohet për të gjitha aktivitetet”. 

Show More

Related Articles

Back to top button