LajmeRajon

Kurti: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot në samitin e Procesit të Berlinit se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës

Gjatë fjalimit të tij, Kurti u shpreh se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm por megjithatë duhen “edhe më shumë veprime”.

“Përgjatë një dekade, në Procesin e Berlinit është shënuar progres domethënës ,por nevojiten më shumë veprime. Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes.

Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, është shprehur Kurti.

Në fund Kurti iu drejtua Scholz dhe Von der Leyen se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit në BE, duke shtuar se gjatë 3 viteve vendi ka shënuar rritje në ekonomi.

“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit.

Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, tha Kurti.

 

Show More

Related Articles

Back to top button