LajmeRajon

Kurti: Le të shpejtojmë te zbatimi i marrëveshjeve, jam ende gati të nënshkruaj për çkado që them “Po”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Greqia ku po merr pjesë në diskutimin “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”, organizuar nga “The Economist”, ka folur për sulmin terrorist në Kosovë, të ndodhur saktësisht një muaj më parë.

Kurti ka thënë se të gjitha faktet dëshmuan përfshirjen e vetë shtetit serb në këtë akt agresioni, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë mund të karakterizohet më së miri si një vend, Kosova, që punon për të ndërtuar veten, duke u përpjekur për sukses të vërtetë demokratik, ndërsa një vend joliberal përpiqet ta mbysë këtë progres, duke përdorur taktika të përdorura shpesh nga figura si Putini.

Më 24 shtator, një muaj më parë, agresioni që kemi parë kulmoi kur trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi hynë në vendin tim dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët tanë. Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që SHBA e përshkruan si një ngritje ushtarake “të paprecedentë” përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti. Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte një armatim të tillë dhe ta transportonte atë përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie. Agresioni pushoi jo për shkak të dëshirës për t’u tërhequr, por për shkak se ishte manovruar strategjikisht”, tha Kurti ndër të tjera.

Kurti foli edhe për dialogun, teksa tha se Serbia është pala bllokuesve e cila po refuzon të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit, për faktin se e njëjta përmban njohjen de facto të Kosovës.

“Ne duhet ta implementojmë marrëveshjen që e kemi arritur. Unë kam ofruar ta nënshkruaj më 27 shkurt në Bruksel, pastaj kam ofruar ta nënshkruaj sërish në Ohër, por Beogradi nuk dëshiron të nënshkruajë sepse përmbajtja e marrëveshjes është njohje de-facto për Kosovën, është modeli i dy Gjermanive. Ajo që na mungon tani, është implementimi. Pra, në historinë e marrëveshjeve midis Kosovë e Serbisë, kemi mbi 40 marrëveshje, por  mungesë të implementimit. Ta bëjmë një marrëveshje dhe pastaj ta implementojmë atë, janë dy planete të ndryshme dhe duhet ti sjellim ato në kontinentin e njëjtë dhe ky është kontinenti evropian. Pra, le të shpejtojmë në atë që jemi marrë vesh dhe unë ende jam gati të nënshkruajë gjithçka për të cilën them “po”, ky nuk është rasti me palën tjetër, dhe prandaj pengesat kanë ndodhur”, u shpreh Kurti.

Gjatë ditës, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se është një javë e rëndësishme përpara për Kosovën, që të punojë e përkushtuar me partnerët ndërkombëtarë mënyrë që marrëveshja e 27 shkurtit, marrëveshja e Brukselit dhe njëkohësisht aneksi i Ohrit i 18 marsit të zbatohen në plotëni.

Osmani ka thënë se zbatimi i tyre duhet të bëhet në plotëni dhe të mos ketë vetëm një pjesë të caktuar që kërkohet të zbatohen, e në anën tjetër, Serbia të ikë nga obligimet e saj.

Show More

Related Articles

Back to top button