LajmeRajon

Kurti përgëzon ushtarët e FSK-së për guximin dhe suksesin e tyre në Turqi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përgëzuar ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për guximin, shkathtësinë dhe për suksesin e tyre në Turqi.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, kryeministri Kurti shprehu dhimbje e pikëllim për tërmetin shkatërrues në Turqi dhe Siri, tërmet ky i cili ua mori jetën mbi 12 mijë njerëzve.

“E gjithë Kosova është tronditur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri që ua mori jetën mbi 12 mijë njerëzve, numër ky që po rritet nga ora në orë këto ditë. Ne ndajmë dhembjen dhe pikëllimin me popujt e prekur, ju shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave, u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve, dhe lutemi për jetën e atyre që janë gjallë nën gërmadha. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi përbëhet nga një tog i kërkim-shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore dhe një ekip K9 me tre qen. Këto janë kushte shumë të rrezikshme e sfiduese, andaj i përgëzoj ushtarët tanë për guximin, për shkathtësinë dhe për suksesin! Gjithashtu i përgëzojmë të gjithë ata që po shpëtojnë jetë në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi e në Siri”, ka thënë Kurti para deputetëve.

Derisa ka shtuar se numri i përgjithshëm i personelit të zbarkuar është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontingjent ka zbarkuar në Republikën e Turqisë me datën 6 shkurt.

“Njësitet e FSK-së në provincën Hatay janë duke zhvilluar operacione të kërkim shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore”, ka shtuar tutje Kurti.

Njëherit, Kurti ka përmendur edhe rastin e ditës së djeshme, ku njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit urban të FSK-së kanë shpëtuar një vajzë dy-vjeçare dhe nënën e saj.

Show More

Related Articles

Back to top button