LajmeRajon

Kurti: Po zbatojmë me seriozitet marrëveshjen e Bratisllavës për deeskalim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se zvogëlimi edhe i 25% i pranisë së Policisë në ndërtesat e komunave në veri erdhi pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë.

Kryeministri u shpreh se po zbatohet me seriozitet marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim.

“Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme.

Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë. Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit. Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti shtoi se lufta hibride kundër Kosovës do të dështojë.

“Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë.”, shtoi tutje Kurti.

Sot, u vendos që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.

Show More

Related Articles

Back to top button