LajmeRajon

Kurti: Policia e Kosovës dhe Doganat janë thelbi i sigurisë publike të shtetit

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar sot Doganën e Kosovës, ku janë takuar me drejtorin e Doganës, Agron Llugaliun.

Pas përfundimit të takimit, i cili u zhvillua prapa dyerve të mbyllura, në konferencën për shtyp, Kurti tha se kjo vizitë u bë në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për këtë institucion dhe theksoi se Policia e Kosovës dhe Doganat janë thelbi i sigurisë publike të shtetit

Ai nënvizoi se vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve për këtë është ngritur në 5 milionë, për dallim nga 2 milionë sa ishte vitin e kaluar.

“Derisa vitin e kaluar kemi pasur konfiskime dhe sekuestrime në përmasën prej 2 milionë euro, sivjet kemi 5 milionë euro. Dy herë e gjysmë është rritur konfiskimi e sekuestrimi për periudhën e njëjtë në këtë vit në krahasim me periudhën e kaluar”, ka thënë Kurti.

Njëkohësisht, sipas Kryeministrit Kurti, edhe të hyrat në Dogana këtë vit janë rritur për 14% në krahasim me vitin e kaluar.

“Një studim i BB-së ka treguar që edhe koha e zhdoganimit ka përmirësim te madh në vlerën 36% për import dhe për eksport dhe kjo është tejet e rëndësishme për investitorët e huaj”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se zbulimi dhe konfiskimi i produkteve të kontrabanduara është shndërruar në përditshmëri.

“Siç e keni parë tashmë zëniet e produkteve të kontrabanduara, kapjet, konfiskimet janë bërë çështje pothuajse e përditshme ndërsa në të kaluarën rrallëherë është dëgjuar për to. Kjo është mesazh për ata që provojnë të bëjnë kontrabandë, se tash nuk është e mundur, se ju kushton shumë më shtrenjtë sesa të kalojnë nëpër kanalet zyrtare. Kjo vërehet dhe ka rezultate konkrete. “Shumë shpejt do të kthehen në funksion terminalet doganorë siç kanë qenë dikur, që “do të funksionojnë në shërbim të bizneseve dhe do ulin kostot për qytetarët”, tha Murati.

Show More

Related Articles

Back to top button