LajmeRajon

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, flasin për marrëveshjen nga dialogu Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog​, Besnik Bislimi, ka takuar sot ambasadorët dhe zëvendësambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve.

Kurti dhe Bislimi informuan përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të fundit në Bruksel me 4 prill, dhe pritjet e tij nga ky proces në javët dhe muajt në vazhdim, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje thuhet se ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes.

Kërkuan gjithashtu që procesi i anëtarësimit të Republikës se Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranimi i aplikimit të Republikës së Kosovës në BE të procedohet me shpejtësi si dy veprime fillestare të partnerëve tanë, që do të duhej të derivojnë nga dakordimi rreth Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit të saj.

Aneksi është pjesë e marrëveshjes bazë të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të dakorduar më 27 shkurt. Kjo marrëveshje është përmendur në publik edhe me emrin plani franko-gjerman. Marrëveshja bazë ka 11 nene, ndërsa aneksi për zbatimin e kësaj marrëveshje ka 12 pika.

As për marrëveshjen bazë e as për aneksin nuk janë hedhur nënshkrime, ndonëse BE ka deklaruar se kjo është marrëveshje, duke kërkuar me ngulm nga palët që të fillojnë me zbatimin e saj.

Show More

Related Articles

Back to top button