LajmeMaqedoni

Kuvendi i RMV-së mori një sërë vërejtjesh, pushteti dhe opozita ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Komisioni Europian e vlerësoi vendin pa progres në shumë fusha dhe kishte vërejtje konkrete për punën e Kuvendit, por as deputetët e shumicës dhe as nga opozita nuk e gjejnë veten përgjegjës për kritikat. Në raport thuhet qartë se notohet polarizimi politik, bllokadat nga opozita, përdorimi i tepruar dhe i papërshtatshëm i flamurit europian si dhe planifikimi i dobët i kalendarit të Kuvendit. Nga LSDM-ja  thonë se për këtë fajin e ka opozita për shkak të bllokadave, por i pyetur për keqpërdorimin e flamurit europian nga pushteti, deputeti i LSDM-së Mile Taleski tha se kjo është për shkak të bllokadave.

“Mendoj se në këtë raport thuhet në mënyrë të qartë se bllokimet e drejtpërdrejta në Kuvend për miratimin e ligjeve dhe për bllokimin e rrugës europiane janë nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe Levicës. Ne si parti në pushtet përballemi çdo ditë me lloj-lloj pengesash. E dini se fushata e VMRO-DPMNE-së ishte bllokadë në Kuvend për një periudhë më të gjatë. Shteti duhet të ecë përpara dhe të gjendet mënyra që ato ligje që ishin në interes të qytetarëve dhe ishte absolutisht e nevojshme të miratohen këtu në Kuvend”, tha Mile Taleski nga LSDM.

Edhe opozita e shpalli fajtore qeverinë për raportin e tillë. Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se me bllokadën aktive që kanë zbatuar në Kuvend është për ligje me, siç tha, prapavijë kriminale.

“Bllokada aktive ishte një lloj reagimi nga ana e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së ndaj Qeverisë dhe shumicës parlamentare dhe kishte për qëllim që të pengojë sjelljen e ligjeve kriminele që ishin pazar mes partive të koalicionit të pushtetit. Gjithashtu qëllimi ishte që të pengohet sjellja e ligjeve me procedurë të shkurtër me të cilat pushteti dëshironte të shmangë procedurën demokratike për debat për çështje të rëndësishme ligjore. Në këtë raport kishte rritje të përqindjes së ligjeve të sjella me procedurë të shkurtër nga 38 në 58%”, tha Nikolla Micevski, koordinator i g.p. të VMRO-DPMNE-së.

Nga opozita e bashkuar shqiptare, Lidhja Europiane për Ndryshim, thonë se ky Raport i KE është raporti më negativ deri më tani.

“Koalicioni Lidhja Europiane për Ndryshim tashmë një kohë të gjatë paralajmëron se integrimi në BE për këtë Qeveri nuk është në fokusin primarë, për shkak se ajo është e zënë me biznesin e lojërave të fatit si dhe me rritjen e nivelit të korrupsionit. Nuk mund të mos konstatojmë se autori dhe fajtori i kësaj gjendje nuk është anonim. Është  Qeveria e përbërë nga treshja LSDM, BDI dhe ASH”, pohoi Safije Sadiku shahini, Alternativa.

Raporti i KE konstatoi lëshime të shumta në funksionimin e Kuvendit andaj kërkuam qëndrim edhe nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, por nuk morëm përgjigje.

Show More

Related Articles

Back to top button