LajmeRajon

Kuvendi i Shqipërisë mes zjarrit dhe flakadanëve miratoi “Projekt Buxhetin 2024”

Zjarr në Kuvendin e Shqipërisë! Mes protestës së opozitës, karrigeve të përmbysura, përplasjeve fizike me punonjësit e Gardës, kaosi u shtua edhe më shumë kur flakadanti mori flakë. Seanca plenare ku pritej të diskutohej “Projekt Buxheti 2024” zgjati vetëm 5 minuta. Mes kaosit dhe debateve mazhorancë-opozitë, aktet ligjore u miratuan në parim me 73 vota pro.

Seancat e tensionuara, kaotike, këto dy muajt e fundit, janë shkaktuar nga opozita, e cila e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”. Në një deklaratë për media, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është shprehur se beteja në Kuvend do të vazhdojë dhe kjo vjen si pasojë e mosrespektimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të drejtës kushtetuese të opozitës.

“Pa asnjë diskutim që opozita do të dëshironte që këto pamje dhe kjo seancë plenare të ishte normale, të mos kishte asnjë reagim, të kishim shkëmbim të ideve dhe të alternativave, mirëpo kjo është e pamundur sa kohë shkelet rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe deputetëve të opozitës u mohohet e drejta e vetë kushtetuese”, tha Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Kryeministri Edi Rama, pasi ka qenë prezent në seancën e sotme, ka reaguar ashpër në rrjetin social “X”, ndaj deputetëve të opozitës, për të cilët është shprehur se sipas tij, “futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve”.

“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkroi në X, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Show More

Related Articles

Back to top button