LajmeRajon

Ky është draft-statuti i BE-së që iu dorëzua krerëve të shtetit dhe opozitës në Kosovë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Partia Dmeokratike kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporeti.net se zyrtarisht kanë pranuar nga Bashkimi Evropian një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Dje zyrtarisht e kemi pranuar”, tha për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të njëjtin ua kemi shpërndarë antarëve të Kryesisë, nga të cilët është kërkuar që të bëjnë komentet e tyre. Diskutimi për këtë temë do të mbahet të enjten 7 dhjetor në ora 17:00. Pas komenteve të antarëve të Kryesisë, AAK do të dal me qëndrim publik në lidhje me këtë dokument. Para kësaj date nuk do të prononcohemi për këtë temë”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës në AAK.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së për Reporteri.net.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari që publikisht ka thënë se e ka parë draft-statutin për Asociacionin, ndonëse dy partitë tjera opozitare e patën mohuar që e kanë parë atë.

“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak më 7 nëntor u takua në Prishtinë me Haradinajn, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Më 21 tetor, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është prezantuar një draft-statut për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian. Ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së.

Dokumenti nuk është bërë ende publik dhe gjatë interpelancës së 3 nëntorit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti tha se ndërmjetësit kanë kërkuar që të mos bëhet publik draft-statuti.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.

Show More

Related Articles

Back to top button